Tadiç: Do arrestojmë Haxhiçin
Beograd, 31 maj - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, shprehu vendosmërinë për ta arrestuar Goran Haxhiçin, të arratisurin e fundit për krime lufte në Ballkan.
Sipas agjensisë së lajmeve AFP Tadiç tha se Serbia është duke i përmbushur obligimet e saja ndërkombëtare dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë.
Ndër të tjera Tadiç shprehu bindjen që Serbia \"do ta arrestojë Haxhiçin në javët, muajt apo gjatë vitit të ardhshëm\".
Goran Haxhiç ka udhëhequr trupat serbe në kohën e luftës në Kroaci. Ndërkohë Gjykata e Hagës e akuzon atë për vrasjen e qindra civilëve kroatë dhe për dëbim të dhunshëm të rreth 28 mijë kroatëve dhe jo-serbëve gjatë luftës në Kroaci më 1991-1995.
Javën që shkoi autoritetet serbe arrestuan ish udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç.