Sulme terroriste në Aerportin e Stambollit, të paktën 28 të vdekur
Stamboll, 28 qershor - Aeroporti "Ataturk" i Stambollit është goditur sot në orët e mbrëmjes nga 3 sulme terroriste të njëkohshme me pasojë të paktën 28 të vdekur dhe 60 të plagosur.
Prefekti i Stambollit, Vasip Sahin, deklaroi se 3 terroristë kanë organizuar sulme të njëkohshme në 3 pika të ndryshme të aeroportit duke shkatuar vdekjen e 28 personave dhe plagosjen e 60 të tjerëve, bilanc ky që mund të ndryshojë gjatë orëve në vijim.
Sakaq, Presidenti Recep Tayyip Erdogan organizoi një takim urgjent me Kryeministrin Binali Yildirim, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralarmate Hulusi Akar dhe me disa ministra. Menjëherë pas mbledhjes urgjente, Kryeministri Yildirim u nis drejt Stambollit së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar.
Pak minuta pas sulmeve, kreu i ekzekutivit turk realizoi biseda telefonike me ministrin e Brendshëm, Efkan Ala dhe me Prefektin e Stambollit, Vasip Sahin, të cilët e informuan rreth ngjarjes.
Me direktivën e Kryeministrit Yildirim, në Ministrinë e Punëve të Brendshme u formua edhe një tryezë për menaxhimin e krizës në lidhje me sulmet.
Pas sulmit terrorist në terminalin e linjave ndërkombëtare të Aeroportit \"Ataturk\" të Stambollit, në vendngjarje janë dërguar urgjentisht një numër i madh ambulancash dhe forca të sigurisë; ndërkohë që është mbyllur edhe trafiku drejt aeroportit.