Süddeutsche Zeitung: Paralajmërim për Beogradin
Berlin, 9 gusht - Në repertorin fiks të politikanëve në Beograd thuajse çdo ditë përsëriten dy fjali: 'Ne nuk do ta pranojmë kurrë shkëputjen e Kosovës' dhe 'qëllimi suprem i politikës së jashtme të Serbisë mbetet anëtarësimi në BE'.
Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë as pas vlerësimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Dështimi në GJND nuk shkaktoi aspak lëvizje të pozicionit në Beograd. Në vend të kësaj, qeveria paraqiti menjëherë një rezolutë në OKB me kërkesën për bisedime të reja lidhur me çështjet e hapura mes Serbisë dhe Kosovës.
Ndër to bën pjesë edhe çështja e statusit të ish-krahinës jugore të Serbisë. Rezoluta u paraqit pa konsultime me BE-në dhe hasi në refuzimin e qarqeve diplomatike perëndimore. Shumica e shteteve të BE-së e konsiderojnë çështjen e statusit të zgjidhur. Ato mbështesin vetëm bisedimet e reja lidhur me problemet praktike midis dy shteteve ballkanike, si bashkëpunimi ndërkufitar, fati i të zhdukurve, mbrojtja e minoriteteve dhe kthimi i refugjatëve.
Për të mos rrezikuar integrimin e Serbisë në BE, qeveria në Beograd duhet të jetë më pragmatike në çështjen e Kosovës. Për shumicën e vëzhguesve është e paimagjinueshme, që Serbia kërkon anëtarësimin në BE, pa hequr dorë nga pretendimi ndaj Kosovës.
Një rrugëdalje Dushan Janiç, shef i Forumit të Beogradit për Marrëdhëniet Ndëretnike, e sheh tek autonomia për Veriun e Kosovës të banuar dhe të kontrolluar nga serbët, pra një ndarje territoriale. Megjithatë pas vlerësimit të GJND-së ky opsion është jorealist.
Nëse do të bëhej një ndarje e Veriut të Kosovës, shumica e serbëve në pjesën tjetër të vendit do t'i shmangeshin pushtetit të shqiptarëve, duke u larguar drejt Serbisë. Shumica e serbëve jetojnë përreth Prishtinës dhe enklavave në Lindje dhe në Jug.
Ndërkohë të dyja vendet ndodhen në një garë diplomatike. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, mendon se 55 shtete mund ta njohin Kosovën. Për ta ndaluar këtë, Beogradi dërgon 55 emisarë në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine.
Njëkohësisht SHBA, vendet e mëdha të BE-së dhe Turqia mbështesin diplomacinë kosovare, që ndodhet në fillimet e zhvillimit të saj. Në shtator pritet një matje forcash, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë lidhur me rezolutën e Serbisë, shkruan Süddeutsche Zeitung.