Stuhi vjeshte mbi Europë
Berlin, 30 tetor - Stuhi të forta me një shpejtësi rreth 170 kilometra në orë kanë tronditur veriperëndimin e Evropës. Stuhitë \"Burkhard\" dhe \"Christian\" kanë sjellë nga perëndimi rreshje shiu dhe orkane të forta.
Ndërsa në jug të Gjermanisë ka qenë ende pjesërisht mot i bukur vjeshte, në veri stuhitë \"Burkhard\"dhe \"Christian\" kanë shpërthyer me gjithë forcën e tyre.
Në landet Nordrhein-Westfalen dhe Niedersachsen së paku katër persona u vranë nga pemët e shkulura nga stuhia. Edhe një marinar dhe një peshkatar humbën jetën nga stuhia. Në landin Schleswig-Holstein një grua humbi jetën nga një mur, që u rrëzua.
Në bregdetin frisian dhe në rajonin verior të Elbës enti federal gjerman për lundrimin dhe hidrografinë ka bërë paralajmërime për rrezikun e përmbytjeve.
Shërbimi i tragetit për në ishujt e Detit të Veriut është ndërprerë. Që të hënën në mëngjes ishulli Helgoland ështe i shkëputur nga toka.
Mësimi në shkolla në Nordfriesland është ndërprerë për shkak të stuhisë. Administrata ka ka urdhëruar në mesditë shkollat, që të dërgojnë fëmijët sa më parë të jetë e mundur në shtëpitë e tyre.
Në qarkullimin rrugor, hekurudhor dhe atë ajror ka patur kufizime të konsiderueshme. Pemët e rrëzuara bllokuan rrugët dhe dëmtuan makinat. Autostrada A2 në Niedersachsen u bllokua plotësisht pranë Helmstedt-it.
Një shtyllë e tensionit të lartë rrezikonte të binte mbi shina. Shtylla e tensionit të lartë ishte dëmtuar nga rrëzimi i një peme. Në Schleswig-Holstein është ndërprerë i gjithë trafiku hekurudhor.
Në linjat hekurudhore Berlin-Hannover dhe Berlin-Hamburg për shkak të stuhive të forta ka patur vonesa dhe ndërprerje të qarkullimit hukurudhor të distancave të afërta dhe largëta.
Në aeroportin e Hamburgut 1300 pasagjerë u desh të prisnin gjatë pa zbritur nga avionët. Një zëdhënëse e aeroportit tha se, \"kapitenët kanë vendosur që të mos hapnin avionët për të dalë pasagjerët. Sepse me hapjen e dyerve të avionit nuk është më e garantuar siguria e pasagjerëve.
Christian\" kishte kaluar më parë në Francë, Britaninë e Madhe dhe shtetet e Benelux-it duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në Francë dhe Britaninë e Madhe mbeten pa rrymë elektrike me qindra mijëra shtëpi.
Në Britaninë e Madhe humbën jetën katër persona, në Hollandë dhe në Francë një. Edhe në Daniemarkë ka patur të vdekur nga stuhia. Linja e tragetit ndërmjet Calais në Francën veriore dhe Doverit në Britaninë e Madhe u ndërpre.
Sipas të dhënave të shërbimit meteorologjik gjerman stuhia e vjeshtës po zhvendoset në lindje. Gjatë javës erërat do të qetësohen në mbarë Gjermaninë. Vetëm në det do të ketë erera dhe stuhi deri të mërkurën.