Steve Bannon synon revolucion të së djathtës në BE
Washington, 23 korrik - Ish-këshilltari i Donald Trump, Steve Bannon planifikon të krijojë një fondacion në Evropë të quajtur “The Movement” (Lëvizja), për të ndezur një revolucion të së djathtës.
Udhërrëfyesi i të djathtëve dhe ish-këshilltari i presidentit, Donald Trump, Steve Bannon do të krijojë një lëvizje të re të djathtë në Europë si kundërpeshë ndaj miliarderit George Soros që mbështet grupet liberale, prej vitit 1984 kur është themeluar.
Steve Bannon, sipas një raportimi të portalit amerikan të lajmeve, “The Daily Beast”, do të krijojë një lëvizje të re me emrin “The Movement” e me këtë të shkaktojë një revoltë të re populiste të djathtë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian në pranverën e vitit 2019.
Sipas njoftimit, 64-vjeçari, pas zgjedhjeve në SHBA në nëntor do të kalojë gjysmën e kohës në Europë. Bannon synon të krijojë një “supergrup populist të djathtë” në Parlamentin Europian, të cilit do t’i përkasin deri një e treta e deputetëve.
Ai ka deklaruar për “The Daily Beast” se ka biseduar me liderët e partive kryesore të djathta përreth kontinentit, ku përfshihen anëtarët e partive të britanikut Nigel Farage dhe francezes Marine Le Pen, e gjithashtu me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe populistët polakë.
Një grupim i tillë i fuqishëm do të mund të trazonte seriozisht procesin parlamentar dhe Bannon mund t’i japë një ndikim të madh brenda lëvizjes populiste, thuhet në raportimin e “Daily Beast”.
Qëllimi është mbështetja e grupeve populiste, që shpesh operojnë pa struktura profesionale politike dhe buxhete. Për këtë do të ofrohet mbështetje në institute studimore për mbledhjen e të dhënave, sondazhet etj.
Bannon kërkon të jetë një kundërpeshë për investitorin amerikan, George Soros, fondacionet e të cilit “Open Society Foundation” mbështesin grupet liberale veçanërisht në Europën Lindore dhe Qendrore. Presidenti Trump pas fitores në zgjedhjet presidenciale e vendosi Bannon si kryestrateg e kryekëshilltar në Shtëpinë e Bardhë. Për shkak të diferencave në qëndrime, rrugët e Trump dhe Bannon u ndanë në gusht të vitit të kaluar.