Steinbach: Serbisë do t`i kërkohet njohja e Kosovës për në BE
Prishtinë, 18 korrik - Gjermania e mbështet hyrjen e Kosovës dhe të Serbisë në BE si dy shtete. Por sipas ambasadorit të parë të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, BE-ja asnjëherë nuk do t`i pranojë brenda vetes dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.
Në një intervistë për Kohën Ditore ambasadori në largim i Gjermanisë, Hans Dieter Steinbach, ka thënë se në rrugën e Serbisë drejt BE-së do të vijë edhe momenti kur ajo do të duhet ta njohë Kosovën. Pas tre vjetësh shërbimi si ambasador i Gjermanisë në Kosovë, ambasadori Steinbach flet edhe për shumë zhvillime tjera. Sipas tij problemet e veriut do të duhej të adresoheshin pas një kohe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur se a ekziston ndonjë rrezik që do të dështojë ekzistimi i Kosovës si shtet, ambasadori në largim i Gjermanisë ishte i prerë: Jo nuk ka. Nuk ka, sepse Kosova tash njihet nga 76 shtete. E di se procesi i njohjeve është ngadalësuar pak, por besoj se do të ketë njohje të reja.\"
\"Ajo që për Gjermaninë është shumë, shumë, shumë e qartë është sovraniteti i Kosovës. Sa herë që dikush të flasë për prekjen e sovranitetit të këtij vendi, sa herë që dikush të flasë për ide të ndarjes së këtij vendi, sa herë që dikush flet për ndryshimin e kufijve të këtij vendi, Gjermania do ta kundërshtojë. Gjermania do të kundërshtojë, sepse është bindur se vetëm kufijtë e sigurt në këtë regjion sjellin stabilitet në Ballkan, dhe jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën
Por, Steinbach nuk e fsheh shqetësimin për veriun. Ka disa vështirësi me të cilat po përballemi në veri. Në një moment në të ardhmen, veriu duhet të jetë pjesë e dialogut. Jo në kuptim të ndarjes apo diçkaje tjetër të ngjashme, por në kuptimin e krijimit të kushteve të jetës që serbët e veriut të pranojnë shtetin e Kosovës, tha Steinbach.
Ai ka theksuar se është fakt se Kosova është shtet sovran dhe dialogu duhet të zhvillohet në kushte dhe mbi bazën e dy shteteve të pavarura. Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës e edhe të Serbisë. Të dyja këto shtete synojnë BE-në, dhe ky dialog lehtëson këtë qëllim të tillë. Duhet biseduar. Duhet biseduar edhe për çështjet e ndërlikuara, jo vetë të lehtat. Rrethanat janë krijuar me nisjen e këtij dialogu.
Por, për hyrjen në BE të Serbisë, ai tha se është një proces i gjatë, si për Serbinë, si për Kosovën, si për shtetet e tjera në regjion. Unë mund tju garantoj se BE-ja kurrë nuk do të pranojë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën, tha ai