Stefanoviq: Beogradi ka planin për Kosovën

Beograd, 22 shtator - Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, deklaroi se Beogradi ka planin për zgjidhjen e problemit të Kosovës, por Brukseli ende nuk është përgjigjur ndaj këtij plani, njoftojnë mediat serbe.
Stefanoviq ka paralajmëruar se problemi i Kosovës mund të zgjidhet në dy mënyra: që dikush të përdorë dhunën ose të ulen dhe të bisedojnë.
Mënyra e parë është më e keqja, pasi që nënkupton viktima në njerëz nga të dyja palët dhe pamundëson paqen afatgjate në gjithë rajonin. Ne jemi Qeveria e parë e Serbisë, e cila ka nisur bisedimet me shqiptarët, pasi që bisedimet në Rambuje dhe Vjenë, nën ombrellën e Marti Ahtisarit, vështirë se mund të quhen të tilla, ka thënë ai.
Serbia i ka dorëzuar të premten e kaluar Bashkimit Evropian propozimin për zgjidhjen e problemit të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje, i cili parashikon që policët dhe doganierët e Kosovës të mos jenë të pranishëm në këto dy vendkalime kufitare.