Stefanovic tani e fajëson opozitën për barrikadat

Beograd, 26 tetor - Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, u ka thënë opozitarëve në Serbi dhe atyre në veriun e Kosovës, se kërkesat e tyre jorealiste do të thellonin krizën ndërmjet KFOR-it dhe protestuesve serbë, lidhur më barrikadat në veri.
Kryenegociatori serb tha për të përditshmen serbe, Vecernje Novosti, që rezultati më i keq për Serbinë dhe serbët e Kosovës, është nëse përfaqësuesit e katër komunave serbe në veri të Kosovës nuk u binden vendimeve politike të Beogradit.
Stefanovic ka shtuar se përçarjet e mëtejshme në veri të Kosovës, do të jenë vetëm në favor të Prishtinës dhe do të përplasin kërkesat jorealiste të opozitës serbe për të ndërprerë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ta cilat janë jetike për Beogradin për të siguruar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE gjatë këtij viti.
Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës është iniciuar dhe përkrahur jo vetëm nga opozita në Serbi, por deri tani është mbështetur edhe nga qeveria dhe presidenti serb, Boris Tadic.