Stefanoviç: Kosova ka mbështetjen e ndërkombëtarëve
Beograd, 6 shkurt - Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë gjatë këtij muaji, ndërsa shumë shpejtë do të caktohet edhe data, ka thënë për B92 shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç.
Temë e bisedimeve do të jetë përfaqësimi rajonal i Kosovës, që thuhet të jetë një nga kushtet që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa pala serbe kërkon Rezolutën 1244 si bazë për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Stefanoviç ka thënë se Serbia ka përgatitur disa propozime dhe, sipas tij, topi është në anën e Prishtinës, e cila është në situatë të pakëndshme kur duhet të pranojë propozime konkrete, konstruktive nga Beogradi.
Ai ka thënë se burim i paqëndrueshmërisë në Kosovë është tentimi i Prishtinës për vendosjen e autoritetit në veri, ndërsa ka pranuar se koncepti i Prishtinës ka mbështetjen e pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare.