Stefanoviç: Beogradi, i hapur për vazhdimin e dialogut
Beograd, 9 shkurt - Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç është takuar sot në Budapest me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Janosh Martonji në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Në një deklaratë të bërë publike sot nga qeveria serbe thuhet se në fjalën e tij Stefanoviç ka theksuar se Beogradi është i hapur për vazhdimin e dialogut dhe se ka qasje konstruktive në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga të dyja palët.
Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Dy shtetet kanë arritur disa marrëveshje, por kanë ngecur në çështjen e përfaqësimit rajonal të Prishtinës.
Shteti serb këmbëngul që Kosova të përfaqësohet në nismat dhe forumet rajonale nën rezolutën 1244 të OKB-së, ndërkohë që autoritetet kosovare insistojnë në përfaqësimin e saj si shtet.