Spanjollët protestojnë kundër mbylljes fabrikave të Coca Cola-s
Madrid, 16 shkurt - Mijëra persona manifestuan në Madrid kundër mbylljes së katër ndër 11 fabrikat e Coca Cola-s në Spanjë, në kuadrin e një plani ristrukturimi që prek rreth 1 250 punonjës.
Manifestuesit mbanin parulla ku shkruhej As mbyllje, as pushime nga puna!, Bojkotoni Coca Cola-n apo edhe Zero shkurtime.
Duke sjellë si argument rrezikun për vijimësinë afatshkurtër të ndërmarrjes, Coca-Cola Iberian Partners, ndërmarrja e vetme e ambalazhimit të shumëkombëshes në Spanjë, u paraqiti në fund të janarit sindikatave një plan ristrukturimi që parashikonte mbylljen e katër nga 11 fabrikat në Fuenlabrada, pranë qyteteve Madrid, Palma de Majorka, Oviedo dhe Alikante.
Ristrukturimi prek rreth 1 250 punonjës, ose 30 për qind të efektivave. Rreth 750 vende pune do të mbyllen dhe 500 punonjës do të shpërndahen në fabrikat e tjera.
Të premten e ardhshme do të marrë fund afati legal i bisedimeve mes drejtorisë dhe sindikatave, por dialogu është ndërprerë sepse sindikatat kërkojnë tërheqjen e planit të ristrukturimit si kusht paraprak përpara çdo lloj bisedimi, gjë që drejtoria nuk e pranon.