Spanjollët protestojnë kundër kufizimit të borxhit publik

Madrid, 7 shtator - Mijëra vetë në Spanjë kanë protestuar kundër futjes në kushtetutën e vendit të një frene për borxhet.
Në shumë qytete spanjolle të martën në mbrëmje u zhvilluan mitingje, për të cilat kishin bërë thirrje sindikatat dhe organizata të tjera.
Në mitingun qendror në Madrid, sipas medieve numri i pjesëmarrësve ishte më i ulët nga sa pritej.
Reforma kushtetuese do të miratohet këtë të mërkurë (7.9.) nga dhoma e lartë e parlamentit.
Dhoma e ulët e kishte miratuar atë javën e kaluar me votat e socialistëve në qeveri dhe të konservatorëve.
Spanja është kështu një nga vendet e para të Eurozonës që ndjek shembullin e Gjermanisë, për sanksionimin me kushtetutë të kufizimit të borxhit publik.