Spanja, samiti i Sarajevës dhe Kosova
Bruksel, 2 prill - Takimi politik i nivelit të lartë të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës në ditët e para të muajit qershor të këtij viti dhe Spanja nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ky samit, për shkak të problemeve lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësimin në këtë takim të Kosovës, sikurse ndodhi kjo në mini-samitin e fundit që u zhvillua në Brdo pranë Kranjës të Sllovenisë, ku, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës si shtet i pavarur, nuk mori pjesë Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Këtë ia deklaroi këto ditë gazetës së përditshme serbe Danas ambasadori i Spanjës në Beograd, Injigo de Palasio Espanja.
Organizatorët e takimit të lartpërmendur të nivelit të lartë, Spanja, si vend kryesues i BE-së, deri më 1 korrik 2010, dhe Italia, si shkak të mbajtjes së këtij samiti sjellin nevojën e miratimit të një Deklarate të Sarajevës, në të cilën do të duhej të konfirmohet se të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, kur të përmbushin të gjithë kriteret e kërkuara, do të bëhen pjesë integrale e BE-së.
Shefat e diplomacive të Spanjës dhe të Italisë, përkatësisht Migel Anhel Moratinos dhe Franko Fratini, synojnë që në këtë deklaratë për çdo vend të vendoset nga një paragraf, ku të konstatohet se në cilën fazë ndodhet secili prej tyre në procesin e integrimeve europiane, ndërkohë që në të (deklaratë) të vihen në dukje edhe synimet e BE-së lidhur me zgjerimin.
Suksesi i këtij samiti europiano-ballkanik, vetëkuptohet që, në një masë të madhe, do të varet nga fakti nëse organizatorët e tij do të arrijnë ti mbledhin të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të gjejnë një zgjidhje sa i përket asaj sesi do të mund të përfaqësohet në të Kosova, pra të mos ndodhë si në Brdo pranë Kranjës.
Për këtë çështje delikate, por edhe për përcaktimin e mesazheve që duhet të përmbajë Deklarata e Sarajevës, sikurse spekulon media rajonale, drejtorët politikë të ministrive të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në samit do të mblidhen në Vjenë të Austrisë disa ditë para takimit të nivelit të lartë të Sarajevës.
Sidoqoftë, zgjidhja e problemit të uljes në të njëjtën tryezë në konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës me emrat e tyre respektivë duket mjaft e komplikuar, për shkak të kundërshtimit kategorik e të vazhdueshëm të Beogradit që të ulet në një tryezë, ku Kosova të emërohet si Republika e Kosovës, duke kërkuar që ajo të përfaqësohet atje, në radhë të parë, nga UNMIK-u, gjë që, natyrisht, me të drejtë hidhet poshtë me forcë dhe në mënyrë kategorike nga Kosova.
Zgjidhja e këtij problemi duket aq e komplikuar, saqë disa organe rajonale të medias, duke iu referuar, sipas tyre, disa diplomatëve të lartë europianë në Bruksel, kanë spekuluar se Spanja do të preferonte të hiqte dorë nga organizimi i samitit të lartpërmendur.
Kështu, duke komentuar këto spekulime të medias, ambasadori spanjoll në Beograd, De Palasio Espanja, deklaroi se samiti do të zhvillohet në fillim të muajit qershor të këtij viti. Kemi planifikuar që takimi i nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor në Sarajevë të mbahet para mbarimit të kryesimit të BE-së nga ana e Spanjës, pra para 1 korrikut 2010, dhe koha më e përshtatshme mendojmë se janë ditët e para të qershorit.
Nuk ekziston asnjë mundësi që të heqim dorë nga ai (samiti), për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës. Ky takim do të mbahet me siguri, tha ai. Kurse pyetjes nëse Spanja vazhdon ti përmbahet qëndrimit se pjesëmarrja e Kosovës në takim mund të realizohet vetëm përmes UNMIK-ut dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, sikurse ka deklaruar më parë ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, ambasadori spanjoll në Beograd iu përgjigj në mënyrë lakonike, duke theksuar vetëm se të gjithë duhet të jenë të pranishëm në atë takim.
Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që kemi në dispozicion, që në Sarajevë të jenë të pranishëm të gjithë liderët e rajonit dhe do të përpiqemi që të arrijmë marrëveshje për këtë çështje, theksoi ai.