Spanja: Lidhur me Kosovën presim vendimin e GJND-së
Beograd,4 shkurt - Ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Anhel Moratinos thekson se qëndrimi i Spanjës lidhur me Kosovën është i njohur mirë dhe i respektuar në komunitetin ndërkombëtar, si dhe në mesin e shteteve anëtare të BE-së.
"Është e qartë se kjo çështje nuk është zgjidhur në kuadër as të Kombeve të Bashkuara, as në terren. Presim që GJND të shprehë mendimin e saj gjatë muajve të ardhshëm në lidhje me çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së njëanshme të Kosovës, të cilin e ka formuluar Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Çdo gjë varet nga vendimi i gjykatës", ka deklaruar Moratinos në një intervistë për gazetën serbe "Veçernje novosti".
Ndonëse Spanja mbështet qëndrimin e Serbisë për vazhdimin e dialogut, siç thuhet "për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, të qëndrueshme dhe reciprokisht e pranueshme", megjithatë shefi i diplomacisë spanjolle thotë se të gjithë duhet të angazhohen për mbrojtjen e stabilitetit të tërë rajonit, përfshirë edhe territorin e Kosovës.
Ai theksoi se për Spanjën ky stabilitet është i një rëndësie të veçantë, prandaj ajo mbështet "EULEX-in, qëllim i të cilit është konsolidimi i shtetit juridik të Kosovës, ashtu sic mbështet edhe zhvillimin e saj shoqëror dhe ekonomik".
"Nuk guxojmë të harrojmë se ky është territor që është pjesë e Evropës dhe duhet patjetër të marrë pjesë në perspektivën evropiane të rajonit", është shprehur Moratinos.