11 Janar 2025

Spahiu i dorëzoi letrat kredenciale presidentit turk

Ankara, 15 nëntor - Ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, u prit të mërkurën në Pallatin Presidencial të Turqisë, me nderimet me të larta shtetërore nga presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gül.

Në një bisedë miqësore, ambasadori Spahiu përcolli mesazhin dhe përshëndetjet  e presidentes, Qeverisë dhe të popullit të Republikës së Kosovës për shtetin dhe popullin turk.

Me këtë rast, ambasadori falënderoi presidentin turk për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Turqinë si vend mik dhe partner në rajon, i cili ka mbështetur Kosovën para dhe pas pavarësisë dhe me të cilën ndan synime të ngjashme integruese dhe aspirata për të ardhmen euro-perëndimore.

Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet, miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

Ambasadori Spahiu njoftoi presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gül, edhe për progresin që ka bërë Kosova në këto vite të pavarësisë së saj si dhe për zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë.

Presidenti Gül siguroi ambasadorin se Turqia ka konsideratë të veçantë për Kosovën dhe se ajo do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, siç ka bërë edhe deri më tani në aspektin politik dhe sidomos në zhvillimin e saj ekonomik.

Ai i dha prioritet zhvillimit ekonomik të  Kosovës dhe mbështetjes së Turqisë në këtë aspekt në fusha të ndryshme zhvillimore, përmes investimeve të drejtpërdrejta dhe duke kërkuar forma të shumta të bashkëpunimit.

Gül shtoi se Turqia e konsideron Kosovën partner dhe vend mik të rëndësishëm në rajon.

Ambasadori Spahiu vazhdoi nga Pallati Presidencial në Çankaja për në Mauzolen e Ataturkut, ku vuri kurorë mbi varrin e themeluesit të Turqisë moderne.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)