Sot vazhdon raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa gjatë një vizite në fshatin Pelemetin sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ka thënë së dialogu do të vazhdojë, ndërkaq për Asociacionin e komunave serbe tha se ndërlidhet me zhbërjen e strukturave paralele.
Ndërkohë, përmes një komunikate për media të lëshuar nga zyra për komunikim e Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve, të thirrur nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i këtij takimi do jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash një vit, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Ministrja Tahiri, po ashtu gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë takim me drejtoreshën për çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku thuhet se do kërkojë që Serbia të heq bllokadat dhe zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës.
Ndryshe, sipas marrëveshjes, Kodin me prefiksin e ri që do të zëvendësonte atë të Serbisë, e të cilin do ta përdorte Kosova, do të duhej ta kërkonte një shtet i tretë, në këtë rast Austria. Por, i gjithë procesi ka ngecur, pikërisht për faktin e moszbatimit të marrëveshjes nga Serbia.
Kodi telefonik për Kosovën, nga ekspertë të fushës së telekomunikacionit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, vlerësohet të jetë shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm, si në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë.