12 Janar 2025

Sot vazhdon dialogu Kosovë - Serbi, pritet të arrihet marrëveshja

Bruksel, 19 prill - Me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton sot në Bruksel do të vazhdojë dialogu i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë ku edhe pritet të arrihet marrëveshja.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq do të takohen sërish në Bruksel për t,u përpjekur të arrijnë një marrëveshje për veriun e Kosovës.

Takimi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të nis në mesditë.

Pas kërkesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me delegacionin e tij dje janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar takimet në kuadër të dialogut.

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës Hajredin Kuçi ka thënë se nuk kanë qenë kurrë më afër arritjes së marrëveshjes.

“Afër 90 për qind i kemi përafruar qëndrimet”, ka thënë Kuçi në emisionin Interaktiv të KTV.

Ndërkaq ka sqaruar për çfarë flet pika e 14-të e marrëveshjes së propozuar. “Pika 14 ka është një propozim që është dhënë nga ana jonë që të dy palët të mos pengojnë njëra-tjetrën që të anëtarësohemi në mekanizmat ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Ndërkaq për pikën 9, ai ka thënë se “Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që të kemi një vijë komanduese dhe të kemi ligje të aplikueshme, që të kemi hierarkinë si në nivelin qendror edhe në atë lokal”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Serbia mund të deklaroj atë çka dëshiron të deklaroj për marrëveshjen dhe qëndrimet tona, por realiteti është krejt ndryshe.

Me marrëveshjen e propozuar nga baronesha Ashton, sipas tij i jepet e drejt Kosovës të përfaqësohet në organizatat rajonale e ndërkombëtare, për t’u anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike – NATO, OSBE por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

"Prandaj edhe sa përket çështjes së normalizimit të situatës në veri të gjitha përgjegjësitë do të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit, me ligjet e Kosovës, me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kurse sistemi juridik, gjyqësor dhe ai policor do të jenë unik për tërë vendin”, ka theksuar kryeministri kosovar.

Ndërkaq kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se është i zhgënjyer për dështimin e arritjes së marrëveshjes, ndërsa e ka akuzuar Kosovën se dhe këtë e ka kushtëzuar me kompetencën, përkatësisht zgjedhjen e komandantit të policisë së Serbisë.

Daçiq tha se ekziston një propozim prej 15 pikash, dhe nuk e pranon vetëm pikën 14 për integrimin e Kosovës.

Drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiq pret që nesër në Bruksel të nënshkruhet marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Sipas informacioneve që qarkulluan para pak ditësh, nesër në ora 15 duhet të nënshkruhet marrëveshja. Do të shohim se sa janë të sakta informatat që vijnë nga qarqet burokratike. Por, besoj se janë. Këtë tërthorazi e ka thënë edhe këshilltari i presidentit Tomisllav Nikoliq, që sipas tij raundi i ardhshëm do të jetë merre ose leje, ndërsa askush nuk shkon në Bruksel që mos ta merr”, ka thënë Janjiq.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)