Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes
New York, 21 shtator - Sot më 21 shtator, shënohet Dita Ndërkombëtare e Paqes, e cila është themeluar nga Kombet e Bashkuara.
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka shpallur këtë datë si dedikim për forcimin e idealeve të paqes, mes vendeve dhe popujve të botës.
Tema e sivjetme e përkujtimit është Partneritet për Paqe- Dinjitet për të gjithë që ka për qëllim të rris vetëdijen tek të gjitha segmentet e shoqërisë, për të bashkëpunuar për zgjerimin e paqes në botë.
U bëj thirrje të gjitha palëve që ti ulin armët e tyre dhe të ketë armëpushim në nivel global. Atyre u them ndalni vrasjet dhe shkatërrimet. Krijoni hapësirë për paqe, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban ki Moon.
Dita ndërkombëtare e paqes çdoherë është një ngjarje e posaçme, dhe këtë herë shënon 61 vjetorin e Kambanës së Paqes e cila çdo vit bie në këtë ditë.
Në vitin 1954 fëmijë nga 60 shtetet i dhuruan OKB-ës, monedha, të cilat shërbyen për të farkuar kambanën, e cila bie çdo vit, në këtë nder të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.