Sot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit
Tre maji ka marrë epitin Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe liria e shprehjes është ruajtur në Nenin 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Në raportin që shënon 20-vjetorin e kësaj dite, organizata Amnesty International ka thënë se rebelët sirianë dhe trupat e regjimit janë përgjegjës për vrasje, arrestime dhe keqtrajtime të gazetarëve.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka publikuar ndërkohë listën vjetore të vendeve, ku gazetarët vriten rregullisht dhe qeveritë dështojnë të zgjidhin krimet.
Indeksi i Mosndëshkimit në vitin 2013 udhëhiqet nga Iraku, për tu pasuar nga Somalia, Filipinet, Shri Lanka, Kolumbia, Afganistani, Meksika, Pakistani, Rusia dhe Brazili.
Të mërkurën, edhe organizata Freedom House ka publikuar raportin vjetor për lirinë e mediave në botë, ku sivjet ka konstatuar rënie në shumicën e vendeve.
Kosova edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira sa i përket lirisë së mediave.