Sot shënohet Dita botërore e lirisë së medias
Prishtinë, 3 maj - Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore të Lirisë së Shtypit ku në ketë aspekt Kosova vazhdon të renditet e fundit në rajon sa i përket lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë.
"Freedom House" e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, me notën 51, nga 53 sa ishte vitin e kaluar.
Sipas raportit të fundit të "Freedom House" për lirinë e shtypit, gjendja në Kosovë është më e rëndë se ajo në vendet e rajonit.
Shqipëria ka marrë notën 50, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina 48, Mali i Zi 37 dhe Serbia 33. Liria e shtypit në botë, sipas raportit, ka rënë në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit.
Vendet ku është shënuar rënia më e ndjeshme e lirisë së shtypit janë Egjipti, Turqia dhe Ukraina.
Me shkallën më të ulët janë Bjellorusia, Turkmenistani, Uzbekistani, Irani, Birmania, Kuba, Guineja Ekuatoriale, Eritrea, Libia dhe Koreja e Veriut.
Ndërkaq, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit me seli në Vjenë njoftoi se 102 gazetarë janë vrarë në vitin 2010 në punën e tyre.
Rajoni më i rrezikshëm për gazetarët ka qenë Azia me 40 gazetarë të vrarë, ndërsa pastaj vjen Amerika Latine me 32 të vrarë, thuhet në raportin e përvitshëm për lirinë e shtypit në botë.
Vendi më vdekjeprurës për gazetarët është Pakistani me 16 të vrarë. Shtatë gazetarë kanë vdekur edhe në Evropë: dy në Rusi, dhe nga një në Greqi, Bullgari, Bellorusi, Letoni dhe Turqi.