Sot pritet të mbahet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë
Bisedimet duhet të nisnin që ditën e djeshme, por për shkak të vonesës së delegacionit të Kosovës, u shty për sot.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Cathernie Ashton, ka konfirmuar dje se shtyrja ka pasuar mungesën e delegacionit të Prishtinës në Bruksel.
Të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ndërmjetësi evropian në proces, Robert Kuper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen.
Zyra e ndërmjetësit Robert Copper i ka njoftuar të dy delegacionet se do të bisedohet edhe për protokollin teknik për menaxhimin e integruar të kufijve, bashkëpunimit rajonal si dhe zbatimit të marrëveshjeve.
Tema e parë e takimit i cili tani për tani është planifikuar të përfundojë në të njëjtën ditë është zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, përfshirë këtu edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, përkatësisht pikëkalimeve kufitare e arritur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.
Në Bruksel theksohet se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një çështje që kërkon kohë, para dhe legjislacionin e duhur në mënyrë që nga një marrëveshje politike të kalohet në funksionin praktik të saj: "Nuk do të kishte nevojë për arritjen e një marrëveshje në qoftë se ajo nuk zbatohet. Ka pasur një progres të rëndësishëm në zbatim, por ka ende shumë për tu bërë.
Fokus të veçantë do të kemi në çështjen e IBM (Menaxhimit të Integruar të Kufijve), ku ne duhet që një marrëveshje politike ta kthejmë në marrëveshje operacionale", tha lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper.
Shumë detaje teknike janë duke u harmonizuar në këtë drejtim dhe në Bruksel thonë se bëhet fjalë për një model IBM i cili tashmë ekziston, por që do të duhet t'i përshtatet marrëdhënieve të veçanta midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme.
Bisedimet kishin ngecur për shkak të mospajtimeve rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale. Beogradi ngulte këmbë që kjo të bëhej nën Rezolutën 1244 të Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Prishtina kishte refuzuar një gjë të tillë.
Ndërmjetësuesit besojnë se mund të arrihet një kompromis, meqë të dyja palët kanë ndryshuar qëndrimet pas trysnisë diplomatike.