Sot pritet të mbahen bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 28 shtator - Raundi i shtatë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi u shty për disa orë dje, pritet të mbahet sot paradite në Bruksel.
Zëvëndëskryeminstrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se takimi është shtyrë për shkak të vonesës së delegacionit serb.
Në këtë raund do të bisedohet për katër çështje: telekomunikacioni, energjia, bashkëpunimi rajonal, si dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog.
Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.
Ndërkaq, për shkak të ngecjeve të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Cooper që të bëhet një vlerësim zyrtarë për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut, si dhe ka kërkuar që konstruktiviteti i Qeverisë i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Të bëhet një raport nga ana e Bashkimit Europian për vlerësimin e këtij procesi. Të identifikojë ngecjet si dhe të bëjë vlerësimin e performancës të palëve dhe në raport me të reflektojë edhe progresin drejt Bashkimit Europian, deklaron, kryenegociatorja për palën kosovare, Edita Tahiri.
Qeveria e Kosovës vlerëson se Serbia nuk ka respektuar në kohë marrëveshjet e arritura deri tani nga ky dialog, vecanërisht mbi tregtinë dhe vulat doganore. Zyrtarisht, lajmërohet se palët do të bisedojnë kësaj radhe mbi pjesëmarrjen e Kosovës në tryezat e bashkëpunimit rajonal, si dhe për energjinë dhe telekomin.
Në bazë të shenjave që kemi nga zoti Kuper, pala serbe vazhdon të mos jetë e gatshme për marrëveshjen për energjinë dhe për telekomin, shton zonja Tahiri.
Për shkak të vonesave dhe shtyrjeve për mbajtjen e takimit, nuk dihet nëse bisedimet do të përfundojnë apo jo, ashtu sic ishte parashikuar, mesditën e të mërkurës.