Sot nis raundi i radhës i bisedimeve Kosovë - Serbi

Bruksel, 27 shtator - Gjatë dy ditëve të ardhshme në Bruksel do të zhvillohet raundi i radhës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Në këtë raund do të bisedohet për katër çështje: telekomunikacioni, energjia, bashkëpunimi rajonal, si dhe ngecjet e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog.
Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të përgatitjeve për këtë takim ka shprehur shqetësimet zyrtare për ngecjet e të gjitha marrëveshjeve e veçanërisht për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, që ndërkohë Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.
Ndërkaq, për shkak të ngecjeve të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga ndërmjetësuesi Cooper që të bëhet një vlerësim zyrtarë për çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve, pra të vlerësohen përformancat e te dy palëve gjatë gjithë procesit të dialogut, si dhe ka kërkuar që konstruktiviteti i Qeverisë i dëshmuar gjatë gjithë bisedimeve të reflektojë në progresin e Kosovës drejt integrimit në BE.
Po ashtu, Qeveria mbetet e përkushtuar për dialogun, por konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është çelës për suksesin e dialogut.
Prishtina ka hedhur poshtë kërkesat e Beogradit për hapjen e diskutimeve për statusin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, duke nënvizuar se nesër e pasnesër do të bisedohen çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Por, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, vështirë se mund të tejkalohen në diskutimet e radhës.
Ndryshe udhëheqësja e dialogut teknik të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, udhëtoi për Bruksel për të marrë pjesë në raundin e shtatë të dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që do të mbahet më 27 dhe 28 shtator 2011.