11 Janar 2025

Sot mbahet raundi i tetë i bisedimeve Thaçi-Daçiç

Bruksel, 2 prill - Sot në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton mbahet raundi i tetë i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij te Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë thonë kanë shkuar në takimin e radhës në Bruksel me synimin për marrëveshje, por, qëndrimet e të dyja palëve ende janë shumë të ndryshme sa i përket mënyrës së qeverisjes së veriut të Kosovës.

Beogradi kërkon krijimin e një bashkësie komunash me pushtet ezkekutiv dhe ku sic thuhet, nuk do të ketë asnjëherë ushtri të Kosovës. Prishtina hedh poshtë cdo mundësi që t’i jap pushtet ekzekutiv asociacionit të komunave serbe.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton, ka konfirmuar se i ka ardhur fundi dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por, mediat serbe, spekulojnë se edhe nëse nuk arrihet marrëveshja të martën, mund të ketë edhe një raund rezervë bisedimesh.

E pyetur nga gazeta serbe “Novosti“, nëse sot do të jetë ballafaqimi i fundit për temën që ka të bëjë me pozicionin e bashkësisë serbe në veri, Kocijancic ka përkujtuar deklaratën e baroneshës Ashton se “takimi i së martës do të jetë raundi përmbyllës lidhur me çështjet e parapara për këtë format të dialogut”.

“Porosia e përfaqësueses së lartë të BE-së është mjaft e qartë”,- ka thënë Kocijancic, pa lënë hapësirë për dyshime.

Ndërkohë pritet që raundi i tetë të jetë shumë i vështirë dhe i tensionuar. Sipas burimeve të gazetës serbe në Bruksel, duhet pritur një takim të gjatë, por duke tërhequr vërejtjen se ai mund të mos përfundojë të martën.

“Raundi i ardhshëm është paralajmëruar si përfundimtar. Mirëpo, në rast se edhe kësaj radhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare, nuk është në interesin e askujt që të shpall dështimin e dialogut, e të mos shfrytëzohet edhe ndonjë rast për një takim të ri, pasi ka ende kohë deri në raportimin e Komisionit Evropian në Këshillin e Ministrave”,- citon gazeta serbe.

Diplomatët perëndimore paralajmërojnë se dështimi eventual i dialogut mund të sjellë deri tek përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës.

Serbët e atjeshëm kanë protustuar dje kundër marrëveshjeve me Prishtinën dhe kanë bërë të ditur se së shpejti do të mund të krijonin një kuvend paralel të katër komunave të veriut, i cili do të merrte vendim për ndarjen e kësaj pjese nga Kosova dhe me këtë kërkesë do t'i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Derejtësisë në Hagë.

Ndërsa analistët në Beograd thonë se dështimi i marrëveshjes me palën kosovare mund të sjellë edhe deri tek përçarjet shumë serioze brenda koalicionit qeveritar në Serbi.

Sipas tyre edhe tani mosmarrëveshjet janë të mëdha, sepse presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq ka kërkuar nga delegacioni serb në dialog që të mos thotë jo, por as të mos pranojë ndonjë marrëveshje serioze.

Sidoqoftë analistët thonë se nga raundi i ardhshëm i dialogut varet nëse raportet mes Beogradit dhe Prishtinës do të shkojnë drejt normalizimit, apo do të ketë tendosje të reja, në veçanërisht në veri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)