Sot mbahet dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë
Të dyja palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ndërmjetësi evropian në proces, Robert Kuper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen.
Zyra e ndërmjetësit Robert Copper i ka njoftuar të dy delegacionet se do të bisedohet edhe për protokollin teknik për menaxhimin e integruar të kufijve, bashkëpunimit rajonal si dhe zbatimit të marrëveshjeve.
Ndërmjetësi evropian, Robert Kuper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, duke thënë se një gjë e tillë është ekstremisht e rëndësishme.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova, në bashkëpunimin rajonal, do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me Rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka theksuar se modeli aktual për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale është i balancuar, meqë merr parasysh dy realitetet ekzistuese, atë të Kosovës së pavarur dhe atë të Serbisë që nuk e njeh shtetësinë e saj.
Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, pra do të merret parasysh Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 Shkurtit 2008, gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikonfirmon edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës dhe Rezoluta 12 44 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s në Kosovë, ka deklaruar Thaçi.
Zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Prishtinës në të cilën do të përmendej Deklarata e pavarësisë së Kosovës, është e papranueshme për Serbinë, ka thënë kreu i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq.
Për Beogradin është zgjidhje e pranueshme ajo në të cilën përmendet Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por jo edhe Deklarata e pavarësisë së Kosovës, e cila paraqet përpjekje për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës, ka thënë ai.
Stefanoviq, ka konfirmuar se ekipi i Serbisë do të ndodhet të martën në Bruksel, për vazhdimin e dialogut.
Ai ka thënë se është i gatshëm të punojë për gjetjen e zgjidhjes sa i përket përfaqësimit rajonal të Kosovës, duke pasur parasysh, siç është shprehur, ekskluzivisht Rezolutën 1244, Kushtetutën e Serbisë dhe interesin kombëtar.
Mund të konfirmoj zyrtarisht se ekipi ynë negociues do të shkojë në Bruksel të martën, për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, ka thënë Stefanoviq për mediat në Beograd.
Ai ka deklaruar se pason një proces i trazuar negociator, për të cilin ka shfaqur shpresën se do të rezultojë me zgjidhje pozitive, që do të çonte deri te përfaqësimi adekuat i Kosovës në nismat rajonale, si dhe do të mundësonte vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë.
Mosmarrëveshjet rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës, që buronin nga insistimi i Kosovës në shtetësi dhe i Serbisë në Rezolutën 1244, kanë shkaktuar ndërprerjen e dialogut teknik mes dy palëve.
Zgjidhja për këtë çështje mbetet kusht për Serbinë, për të fituar përgjigje pozitive rreth statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.