Sot mbahen bisedimet Kosovë - Serbi
Bruksel, 26 shkurt - Në Bruksel pritet të zhvillohet sot rrethi i ri i bisedimeve për çështje teknike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Avni Arifi, kryesues i delegacionit të Kosovës, ka paralajmëruar ditë më parë se në takim do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur deri më tash.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Beogradi do të këmbëngulë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky rreth i bisedimeve ishte paraparë për datën 16 janar, por ishte shtyrë pasi në po atë ditë ishte njoftuar për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën Veriore, Oliver Ivanoviq.