Sot filloi shembja e murit të fundit të izolimit
Bruksel, 18 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi janë takuar me Komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
Pas takimit, presidenti Thaçi dhe komisioneri Avramopoulos, kanë mbajtur konferencë për media.
Kreu i shtet ka thënë se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, kjo përbën një moment historik dhe një njohje e përpjekjeve shumëvjeçare për të ankoruar Kosovën në zemrën e Evropës.
“I nderuar Komisioner Avramopoulos, ju shpreh falënderimin për gjithë mbështetjen tuaj në ecjen tonë përgjatë kilometrave të fundit. Por, më duhet ta theksoj, se kilometrat e fundit, vërtet kanë qenë shumë të gjata. Mirëpo, jam i lumtur që së bashku kemi arritur në këtë cak të rëndësishëm, dhe jam i bindur që së bashku dhe shpejt do të vijmë te momenti ku qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE.
“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane”, ka theksuar ai, duke shtuar më tej se “Lajmi i sotëm e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç edhe kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe sot me plot kuptimin e fjalës, kemi pajtim të plotë me partnerët tanë në Komision Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka shtuar se kjo nuk ka qenë një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku.
Ai ka shprehur falënderimin për secilin anëtar të delegacionit, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrat, por edhe për gjithë spektrin politik, opozitën, qeveritë e kaluara, dhe të gjitha institucionet e vendit, organet e rendit dhe ligjit, përfshirë gjykatat për kontributin e vazhdueshëm dhe të paepur në këtë proces.
Presidenti Thaçi ka shprehur zotimin se kjo punë do të vazhdohet me përkushtimin e njëjtë edhe në fazat e mëtutjeshme.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, por do të ketë ndikim pozitiv edhe në lëvizjen e mallrave dhe mbi të gjitha do të avancojë idealet dhe vlerat evropiane në Kosovë. Unë kam besimin dhe përkushtimin që të vazhdojmë dhe të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm. Lajmi i sotëm do të jetë shtytës në punën tonë të përditshme në shtyrjen përpara të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe në çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit”, ka theksuar kreu i shtetit.
Ai më tej ka thënë se është më se evidente që Kosova, përveç një vendi aspirues për anëtarësim, është edhe një partner aktual i BE-së në adresimin e të gjitha sfidave të përbashkëta, si në sensin e migrimit, sigurisë, ashtu dhe e të gjitha çështjet tjera ku kemi interes të përbashkët.
“Në këtë rast më duhet të them ne jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat përbrenda vetë BE-së, sa i përket temave të Migracionit, rritjes së populizmit etj. Por, duke qenë se jemi të gatshëm dhe të përgatitur, nuk besoj që kemi kohë shumë dhe mundësi më të mirë që të merren vendime sa më shpejt dhe ta përfundojmë këtë projekt të përbashkët shumëvjeçar, në mënyrë që të përfundojë izolimi i stërzgjatur i qytetarëve të Kosovës, të vetmit në Ballkan por edhe më gjerë që nuk kanë përfituar nga kjo mundësi”, ka pohuar presidenti Thaçi.
Sipas tij, institucionet e pavarura do të vazhdojnë me të gjitha përkushtimet tona në proces, në mënyrë që të kemi sa më shumë argumente edhe në përballje të mëtutjeshme edhe me shtetet anëtare.
“Në përmbyllje më lejoni t’ju shpreh një falënderim të sinqertë për juve personalisht në këtë drejtim, dhe për angazhimin tuaj të madh. Shpërblimi më i madh që mund t’jua ofrojmë është vetë efekti që kjo do të ketë për popullin tonë, për ruajtjen dhe përforcimin e kredibilitetit të vetë BE-së në vendin tonë, por edhe ndikimin pozitiv që kjo do ta ketë edhe për procesin e dialogut”, ka thënë presidenti Thaçi.