Sllovakia do ta njoh Kosovën nëse Prishtina dhe Beogradi merren vesh
Bratisllavë, 24 tetor - Ish kryeminstrja e Sllovakisë, Iveta Radiçova, i tha Radios Evropa e Lirë se njohja e pavarësisë së Kosovës, nga vendi i saj, varet nga përfundimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Do të presim përfundimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse arrijnë një marrëveshje Sllovakia do ta pranojë atë, tha Radiçova në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Ajo tha se BE-ja duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që po përballen me shumë fatkeqësi, përfshirë edhe varfërinë e madhe, para së gjithash në Kosovë por edhe në Bosnjë e Hercegovinë.
Duhet të ndihmojmë në rimëkëmbjen dhe ndërtimin e infrastrukturës ekonomike. Në të kundërtën, qytetarët e këtyre vendeve do të jenë çdo ditë e më të pakënaqur, tha Radiçova.
Ajo gjithashtu tha se entuziazmi i qytetarëve të vendeve të Ballkanit me BE-në po bie për shkak se nuk shohin një përmirësim të prekshëm në jetën e përdtishme.
Sllovakia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur prej vitit 2008.