Skenari i Beogradit për Kosovën pas GJND-së
Beograd, 17 korrik - Me datë 22 korrik GJND-ja jep opinionin e saj këshillëdhënës lidhur me pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pas kësaj diplomacia serbe do nisë lotimin që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të miratohet një rezolutë që kërkon negociata të reja për statusin e Kosovës.
Sipas të përditshmes beogradase Blic në këto negociata të reja Beogradi do të kërkojë që veriu i Kosovës, ku serbët janë shumicë, të fitojë atë që do ta marrë edhe pjesa tjetër e Kosovës, në jug të Ibrit: pavarësinë apo nivel të lartë të autonomisë.
Presim që opinioni juridik i gjykatës të jetë një fitore për Serbinë, ndërsa rezoluta të cilën do tia propozojmë Asamblesë së Përgjithshme është e tillë që do të jetë turp të votohet kundër saj. Besojmë se shumë vende që e kanë njohur Kosovën do të përmbahen nga votimi kundër kësaj rezolute, citon Blici një burim të vetin, i cili thekson se rezultati i atij votimi është shumë i pasigurt, meqë vendet më të fuqishme të botës, me Amerikën në krye, momentalisht janë shumë të angazhuara që të parandalojnë miratimin e rezolutës serbe në OKB.
Gazeta shkruan gjithashtu se kohët e fundit janë shtuar presionet ndaj Beogradit që të heqë dorë nga propozimi i rezolutës së re në OKB, ndërsa zyrtarëve serbë vazhdimisht u thuhet se plani i tyre për Kosovën është i dëmshëm për vetë Serbinë dhe se kështu ajo do ta humbasë edhe atë që tashmë e ka në tavolinë, ndërsa nuk është duke u ofruar edhe aq shumë autonomia për veriun e Kosovës, enklavat dhe manastiret serbe.
Hapat e Serbisë pas shpalljes së opinionit të GJND-së:
Gusht; Detyra e Serbisë është që të mbajë tensione rreth çështjes së Kosovës dhe të përfitojë shumicën e vendeve të botës që të votojnë në favor të rezolutës serbe, me të cilën do të kërkohen negociata të reja.
Themeli i kërkesës është që paqja në rajon nuk mund të arrihet nëse njëra palë i humb të gjitha, ndërsa pala tjetër i fiton të gjitha. Insistohet në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare. Nëse në OKB miratohet rezoluta e Serbisë, do të ndërpritet përfundimisht procesi i njohjeve të Kosovës dhe do të pamundësohet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke nisur nga OKB.
Shtator: Asambleja e përgjithshme e OKB-së e shqyrton opinionin e GJND-së. Serbia paraqet rezolutën me të cilën kërkohen negociata të reja rreth Kosovës. Vendoset me shumicë të thjeshtë votash. Çështja e Kosovës ka arritur para Gjykatës në Hagë me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në favor të rezolutës që e pati paraqitur asokohe Serbia, me të cilën me gjithë kundërshtimin e Amerikës dhe të fuqive tjera të perëndimore të botës, është kërkuar mendimi rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, kanë votuar 77 vende, kundër kanë qenë 6, ndërsa 74 kanë qenë të përmbajtura.
Negociatat Beograd-Prishtinë; Serbia kërkon nisje nga pika ku është ndalur gjatë negociatave të pasuksesshme në Vjenë. Asokohe, Serbia ofronte më shumë se autonomi, më pak se pavarësi. Beogradi tani ofron një nivel të njëjtë të pavarësisë apo autonomisë për jug, si edhe për veri të Kosovës. Në lojë është edhe një pjesë e Luginës së Preshevës, me popullatë shqiptare shumicë. Negociatat duhet të sjellin te një rezolutë e OKB-së me të cilën ajo marrëveshje do të vulosej.