Siçilia mund të bëhet Greqia e dytë
Romë, 24 korrik - Ndërsa kryeministri Mario Monti lufton për të mbrojtur Italinë nga infektimi i krizës greke dhe për të mbajtur interesat e borxhit kombëtar në nivele të përballueshme, një rajon autonom kapi vëmendjen e investitorëve si pika tjetër nevralgjike e krizës së borxheve: Siçilia.
Ishulli përrallor për disa po bëhet Greqia e Italisë dhe rrezikon të falimentojë dhe të mos ketë mundësi të shlyejë borxhin e vet publik.
Monti i dërgoi një letër presidentit rajonal të Siçilisë për ti thënë se qe shumë i shqetësuar. Një ditë më parë, një zyrtar i Konfindustrisë së Siçilisë bëri thirrje që ishulli të vihet nën kontrollin e qeverisë qendrore për të pastruar financat e veta.
Kur lajmet mbi falimentin e mundshëm të Siçilisë qarkulluan nëpër botë, Roma u përpoq me nxitim të ftohë gjakrat duke i dhënë ishulit 400 milionë euro ndihmë emergjente, në mënyrë që Palermo të shmangë një krizë likuiditeti e të vijojë të paguajë pensionet e rrogat.
Një zyrtar i qeverisë tha se letra e Montit kishte për synim opinionin vendës dhe se problemet e Siçilisë nuk mund të shpërndahen në rajonet e tjera të Italisë.
Por për shkak të krizës më të gjerë evropiane të borxheve, politikat lokale shpejt bëhen probleme ndërkombëtare. Siçilia ka një sistem të patronazhit politik të ngjashëm me Greqinë, ku shteti është punëdhënësi kryesor. Kjo gjë ka sjellë fryrjen e shpenzimeve. Të premten e shkuar, bursa e Milanos ra me 5 për qind dhe interesat e borxhit italian u rritën sërish.
Në një intervistë, presidenti i rajonit të Siçilisë Raffaele Lombardo, iu përgjigj kritikave me indinjatë. Siçilia është në telashe sepse Italia është në telashe, tha ai, ndërsa fliste në pallatin dOrleans, një ndërtesë e shekullit të tetëmbëdhjetë që dikur qe selia e princërve francezë që sundonin ishullin.
Siçilia është në rrezik falimenti sepse e gjithë Italia është në rrezik falimenti, shtoi ai duke kujtuar se Moodys e ka klasifikuar ishullin në të njëjtin nivel rreziku me Veneton, një rajon i pasur industrial i veriut.
Shumë kritikë thonë se Italia në tërësi dhe Siçilia në veçanti, nuk kanë shkuar drejt falimentit për shkak të masave të kursimit, por nga shpenzimet e tepërta publike në të shkuarën, pjesë e një sistemi të ndërthurur votash në këmbim të vendeve të punës, sistem që i ka dhënë dorë politikanëve të mbajnë pushtetin.
Sot, qeveria rajonale e Siçilisë ka 1800 punëtorë, më shumë se sa ka zyra e qeverisë së Britanisë së Madhe, ndërsa ishulli ka punësuar 26 mijë roje pylli; në pyjet e pafundme të British Columbia, ka më pak se 1500 të tillë.
Nga një popullatë prej 5 milionë banorësh, shteti punëson direkt apo indirekt më shumë se 100 mijë vetë dhe paguan pensione për shumë të tjerë. Siçilia e ndërroi sistemin e vet të pensioneve tetë vjet më parë. (Një politikan në pension fitoi një gjyq së fundmi për të drejtën për të patur një pension vjetor prej 480 mijë eurosh).
Natyrisht që janë të tepërt, tha presidenti Lombardo ndërsa u pyet për rojet e pyllit. Por ai shton se ligjet për mbrojtjen e punëtorëve e bëjnë shumë të vështirë heqjen e tyre nga puna. Ne duhet të presin që ata të dalin në pension, shtoi ai.
Ky lloj sistemi ka kosto. Një raport auditimi bëri të ditur se Siçilia kishte 7 miliardë euro fatura të papaguara deri në fund të 2011. Papunësia në rajon është 19.5 për qind, dy herë më shumë se sa mesatarja kombëtare, ndërsa mes të rinjve papunësia është 38.8 për qind.
Rasti i Siçilisë qe i veçantë shumë kohë para se të fillonte kriza. Ky është një rajon nga të paktët autonomë në Itali dhe ka pothuajse kontroll të plotë mbi të ardhurat fiskale që krijon. Në këmbim, qeveria qendrore dërgon financim në një formë kredie.
Lombardo tha se 400 milionë eurot që qeveria i premtoi javën e kaluar dhe që nuk janë dërguar ende, qenë pjesë e një kredie të përgjithshme prej 1 miliardë eurosh. Nuk është një dhuratë, është një kredi. Qe planifikuar të vinte por u vonua për shkak se edhe shteti ka problemet e veta.
Lombardo është një politikan i Lëvizjes për Autonomi, një parti që beson se Siçilia duhet të ndahet nga Italia. Ai është gjithashtu nën hetim për lidhje me mafian, i mohon akuzat dhe nuk është formalisht i pandehur. Ai qe burgosur përkohësisht në vitet 90, por u shpall i pafajshëm më vonë.
Italia është një Europë në miniaturë. Jugu është i varfër dhe stanjant ndërsa veriu është i pasur dhe në zhvillim. Forcat politike në Italinë e veriut nuk kanë dëshirë të vijojnë të financojnë jugun, i cili ka edhe probleme me krimin e organizuar. Por ndërsa kriza ekonomike rritet, ekspertët thonë se krimi i organizuar po rifiton pushtet duke siguruar financime në një kohë që bankat nuk e bëjnë.
Edhe siçilianët nuk duken shumë optimistë për situatën.
Nëse vjedh diçka të vogël, shkoj në burg; nëse vjedh shumë, atëhere zhvillohem në karrierë, thotë Gioaçhino De Giorgi, 34 vjeç, i cili punon në një dyqan cigaresh në Palermo.