Shvarcenberg: Kosova ka të ardhme evropiane
Pragë, 20 qershor - Të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor duhet të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, tha shefi i diplomacisë çeke, Karel Shvarcenberg.
Sipas vlerësimit të tij, perspektiva e të qenit anëtar i ardhshëm është edhe para Kosovës duke shprehur bindjen se nuk do të zgjasë gjithmonë situata që disa vende anëtare të BE-së ta kenë njohur pavarësinë e Kosovës, e disa të tjera jo.
\"Me kalimin e kohës kjo do të rregullohet. Nuk mendoj se do të zgjasë shumë\", ka thënë ministri i Jashtëm çek në një intervistë për agjencinë sllovake TASR.
Për më shumë, ai e ka bërë të qartë se Kroacia do të jetë vendi i parë nga rajoni që do të inkuadrohet në BE, ndërsa ka thënë se e përgatitur është edhe Serbia.
Maqedonia, sipas tij, duhet ta rregullojë çështjen e emrit me Greqinë, derisa Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina duhet t\'i zgjidhin çështjet e brendshme.