Shtyhet raundi i dialogut
Prishtinë, 21 shkurt - Megjithëse i paraparë të niste në ora 10, raundi i sotëm i dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk ka filluar ende.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Cathernie Ashton, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se shtyrja ka pasuar mungesën e delegacionit të Prishtinës në Bruksel.
Tash për tash është ende e paqartë nëse bëhet fjalë për vonesë teknike apo shtyrje të të gjithë procesit.
Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.
E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. .