22 Dhjetor 2024

Shtatë ditë zie në Poloni

Varshavë, 12 prill - Trupi i presidentit polak, Lech Kaczynski dhe 96 personave të tjerë që humbën jetën në aksidentin ajror në Rusi, kanë mbërritur në Varshavë.

Për të pritur arkivolin me trupin e presidentit në aeroportin ushtarak kishin dalë vëllai binjak i tij, ish-kryeministri Jaroslav Kaczynski, kryeministri aktual, Donald Tusk, dhe presidenti në detyrë Bronislaw Komorovski.

Trupi i presidentit Kaczynski është vendosur në pallatin presidencial ku do të bëhen homazhe. Të dielën u mbajtën dy minuta heshtje në të gjithë Poloninë, duke shënuar fillimin e zisë kombëtare për shtatë ditë.

Vëllai binjak i presidentit, ish-kryeministri Jaroslav Kaczynski vizitoi vendin ku u rrëzua avioni bashkë me kryeministrin rus, Vladimir Putin. Kryeministri Putin po i kryeson vetë hetimet për këtë tragjedi, ku humbën jetën edhe dhjetëra oficerë të lartë dhe politikanë polakë.

Tashmë dihet se avioni po fluturonte shumë ulët dhe preku disa pemë teksa po ulej në pistë në kushtet e një mjegulle të dendur. Kontrollorët e trafikut ajror thanë se e kishin udhëzuar disa herë pilotin që të mos e ulte avionin në aeroportin e qytetit Smolensk në kushtet e mjegullës së dendur.

Avioni Tupolev i presidentit polak ishte prodhim i vitit 1960 dhe disa zyrtarë në të kaluarën kishin kërkuar që të zëvendësohej me një avion modern.

Lider antikomunist

Lech Kaczynski është në postin e presidentit që prej vitit 2005. Ai do të mbahet mend për rolin që ka luajtur në formimin e identitetit polak pas komunizmit. Sëbashku me vëllain e tij binjak, ish kryeministrin, Jaroslaw Kaczynski, ai themeloi partinë për Drejtësi dhe Ligj.

Kjo parti theksoi një angazhim të fortë në vlerat tradicionale që reflektohet edhe në devotshmërinë në besimin romano-katolikë si shumë njerëz në Poloni. Përpara se të hynte në politikë, të dy vëllezerit njiheshin si artistë kinemaje kur ishin ishin fëmijë. Më vonë ata u bën aktivë në lëvizjen që kontribuoi në rënien e komunizmit në Poloni në vitet 1980.

Vdekja e Presidentit Kaczynski çel skenare të rinj në Poloni. Rrëzimi i avionit me një numër të madh drejtuesish të shtetit, qeverisë, parlamentit, ushtrisë dhe bankës qëndrore do t’i çele rrugen një gjenerate të re.

Roli i presidentit në Poloni është ceremonial, por Kushtetuta i jep të drejtë atij për të përfaqësuar vendin në politikën e jashtme.

Kaczynski u zgjodh në 2005-ën dhe gdhendi rolin e tij në politikën e jashtme të Polonisë. I vendosi një kufi marrëdhënieve të vendit të tij me Rusinë, ngjarje kjo që mori aq vëmëndje sa mbrojtja që iu dha Gjeorgjisë dhe Ukrainës, por edhe si një shtysë për qeverinë e Donald Tuskut për marrëdhënie më të mira me Moskën. Në të vërtetë Kazinzki shpesh përplasej me kryeministrin.

Më herët këtë javë Tusk udhëtoi veçmas në Katin për të përkujtuar 70 vjetorin e masakrës me kryeministrin Vladimir Putin.

Të shtunën Kaczynski do të përkujtonte përvjetorin vetëm në shoqërinë e delegacionit polak. Beteja mes dy partive më të mëdha në politikë do të zgjidhej këtë vjeshtë, kur përballë në zgjedhjet presidenciale do të ishin Lech Kaczynski dhe kreu i parlamentit Bromislav Komorovski. Ky i fundit konsiderohet favorit në zgjedhjet që do të zhvillohen 60 ditë pas tragjedisë.

Lech Kaczynski lë pas vëllain e tij, Jeroslavin, kreu i partisë së djathtë nacionalistë “Ligj dhe Drejtësi”, një armik i betuar i Donald Tuskut dhe lëvizjes së tij liberale “Platforma Civile”.

Shumë deputetë të partisë “Ligj dhe Drejtësi” humbën jetën në këtë aksident dhe kështu do t’u hapet rruga të rinjve të cilët do t’i japin më shumë forcë partisë, siç thonë analistët.

Qeveria duhet të gjejë komandantët e forcave të armatosura, do të shfaqen figura të reja një gjeneratë më moderne. Parlamenti do të votojë kreun e ri të Bankës Qëndrore në vend të Slavomir Skorsipekut apo zyrtarëve të tjerë, si avokatin e popullit etj.

Efektet kryesore të tragjedisë do të vijnë në marrëdhëniet me Rusinë. Vdekja e Kaczynskit dhe ndihmësve të tij është një goditje e rëndë për politikën e Polonisë. Por për analistët nuk do të kërcënohet stabiliteti i vendit anëtar të Nato-s dhe Bashkimit Europian.

Reagime

Presidenti Dmitri Medvedev i Rusisë i ofroi ngushëllimet e ti Polonisë për tragjedinë.

Kryeministri Vladimir Putin, do të kryesojë hetimin që do të kryhet për shkaqet e aksidentit.

SHBA, ofroi ngushëllimet për atë që e cilësoi si një tragjedi të tmerrshme për Poloninë.

Bashkimi Evropian shprehu solidaritet me Poloninë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se ishte thellësisht e shokuar nga ngjarja.

Kryeministri, Gordon Brown, shprehu trishtimin e tij dhe e përshkroi presidentin Kaczynski si një prej aktorëve të shquar në historinë moderne politike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)