Shqiptarët protestojnë para selisë së OKB-së për Preshevën
New York, 28 janar - Shqiptarët e Amerikës, sot kanë zhvilluar një protestë përpara selisë së OKB-së në New York.
Siç bë të ditur gazeta \"Dielli\", nismëtare ka qenë shoqata legjendare Vatra e shqiptarëve të Amerikës dhe të tjera shoqata të komunitetit shqiptar në ShBA, të cilat fillimisht u mblodh në 20 janar më parë e shqetësuar duke premtuar se do të lobonte në instancat më të larta amerikane dhe ndërkombëtare për këtë çështje.
Pikërisht sot në orën 11:00 deri në orën 14:00 para selisë së OKB-së në New York, e cila gjendet në Dag-Hammarskjold-Plaza në Manhattan, NY u mbajt një protestë gjithëpopullore shqiptare në SHBA për të drejtat e mohuara të bashkatdhetarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në thirrjen e saj, Vatra iu drejtua kështu shqiptarëve: Bashkadhetarë! Kjo protestë merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm për situatën e tensionuar të krijuar në Luginën e Preshevës pas ndërhyrjes brutale të makinës ushtarake policore serbe, që na kujton kohën e Millosheviçit, por edhe për mbarë çështjen tonë kombëtare.
Serbët po tentojnë të marrin inisiativën dhe nga xhelatë po hiqen si viktima! Nuk njohin shtetin e Kosovës për minoritetin serb në Kosovë, nga ana tjetër u mohojnë të drejtat shumicës shqiptare në Luginën e Preshevës, thuhet në thirrje.
Bashkadhetarë, lëreni pak orë punën dhe merrni pjesë në këtë protestë mbarëkombëtare. Jemi të gjithë shqiptarë të Preshevës në këto çaste tensioni. Le të protestojmë me kulturë dhe rregull!