Shqiptarët e Maqedonisë përgatiten për protesta masive
Shkup, 20 prill - Rreth 40 shoqata shqiptare në Maqedoni pritet të zyrtarizojnë nesër zhvillimin e një proteste masive kundër proceseve antishqiptare të qeverisë maqedonase.
Këto shoqata organizuan të shtunën këshillin pesëanëtarësh, i cili do të merret me organizimin e protestave kundër diskriminimit shtetëror të shqiptarëve si dhe kundër projekteve të fundit antishqiptare dhe që rrënojnë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
Brenda kësaj jave pritet të zbardhet axhenda dhe organizimi i protestave që janë paralajmëruar të jenë masive.
Në politikën maqedonase është krijuar një gjendje shqetësuese. Proceset gjyqësore ndaj qytetarëve të pafajshëm si dhe diskriminimi i hapur shtetëror paraqesin shqetësime të rrezikshme, ka theksuar në njoftimin e djeshëm, këshilli i formuar i organizatave shqiptare, duke paralajmëruar edhe mbajtjen e protestës.