Shqipëria zgjidhet zëvëndespresidente e Bordit të UNDP - UNFPA dhe UNOPS
New York, 19 janar - Republika e Shqipërisë është zgjidhur zëvëndespresidente e Bordit Ekzekutiv të përbashkët të UNDP/UNFPA/UNOPS për vitin 2018.
Përfaqësuesja e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ambasadorja Besiana Kadare, u zgjodh zëvendës-presidente e Bordit Ekzekutiv të përbashkët të tre Agjencive te OKB-së : Programit të Zhvillimit (United Nations Development Programme), Fondit të Popullatës (United Nations Population Fund) dhe Zyrës për Projekte Shërbimesh (United Nations Office for Project Services).
Zgjedhja në këtë organ të rëndësishëm që monitoron zbatimin e programeve dhe planit strategjik të këtyre agjencive të OKB-së, dëshmon angazhimin e vendit për të luajtur një rol sa më aktiv në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht në kuadrin e zbatimit të Agjendës 2030 dhe arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Mandati i Shqipërisë përkon me fillimin e zbatimit të planeve strategjike për katërvjeçarin 2018-2021 të UNDP/UNFPA/UNOPS. Shqipëria do të japë kontributin e saj në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, qeverisjes demokratike, barazisë gjinore dhe përballjes me ndryshimet klimatike.