Shqipëria vazhdon lobimin për njohjen e Kosovës
Tiranë, 21 nëntor - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka nisur një turne vizitash zyrtare në Japoni, në Republikën e Koresë dhe në Vietnam.
Ndërsa veç tjerash, ai do ti shfrytëzojë këto vizita për të kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Japonisë dhe Koresë së Jugut për Kosovën, ndërsa do ta njoftojë Vietnamin rreth ndikimit të vendit tonë në stabilizimin e rajonit.
Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mbështetjen e mëtejshme të saj nga këto vende, për pjesëmarrjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, duke e inkurajuar më tej atë në rrugën e nisur të reformave integruese.
Ndërsa pala vietnameze, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, gjatë vizitës së ministrit Haxhinasto do të njihet me kontributin konkret që Kosova jep me institucionet e veta legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.