Shqipëria shpenzon 250 mijë euro duke lobuar për njohjen e Kosovës
Tiranë, 8 janar - Qeveria shqiptare shpenzoi nga buxheti i saj rreth 3.5 milionë lekë të reja (250 mijë euro) për lobimet për njohjen e Kosovës. Kjo shifër është shpenzuar në 6-mujorin e parë të vitit 2013.
Sipas raportit të publikuar në faqen online të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në pjesën e parë të vitit 2013, pjesë që i takon qeverisë Berisha, ishin planifikuar në buxhet plot 8.484.000 lekë.
Ndërkohë ka edhe një pjesë tjetër fondi, prej 6 milionë lekësh që është shpenzuar për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, nga fondi i plotë prej 12.160,000 lekësh.
Nga auditimi që është publikuar për vitin 2012 dhe gjysmën e parë të vitit 2013, rezulton se një pjesë e mirë e fondeve janë përdorur për të paguar aderimin e vendit tonë në organizata të ndryshme, qofshin ato kulturore apo politike.
Në total, shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Jashtme janë 2.195.268.000 lekë për të gjithë 2013. Ndërkohë ende nuk është publikuar raporti për gjysmën e dytë të këtij viti, kur Ministria e Jashtme ka nisur që prej shtatorit të drejtohet nga socialistët.
Nga fondi total, pjesa dërrmuese e tij është parashikuar për tu përdorur për mbështetje diplomatike jashtë shtetit. 1.786.573,000 lekë është fondi i posaçëm vetëm për këtë qëllim. Vetëm për aktivitetet diplomatike dhe shërbimin konsullor, nga 248.675,000 lekë të projektuara për të gjithë vitin, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë janë shpenzuar 116.694 000 lekë.
Po gjatë 6-mujorit të 2013, pra nga janari në qershor, i është kushtuar një rëndësi rritjes së imazhit të Shqipërisë në organizatat e njohura ndërkombëtare, ku ajo është anëtare prej vitesh apo ku synon të anëtarësohet si BE.
Për rritjen e profilit të Shqipërisë në OSBE janë shpenzuar 5 milionë lekë të reja vetëm për 6 muaj, ndërsa për rritjen e profilit në Këshillin e Europës 4.2 milionë lekë.
Në total vetëm këto dy shërbime shkojnë 9.2 milionë për 6-mujorin e parë, ndërsa për ofrimin e shërbimeve konsullore pranë MPJ-së janë paguar 1.7 milionë dhe për përsosjen e shërbimit konsullor 3 milionë.
Pas monitorimit të realizimit të buxhetit për pjesën e parë të 2013, diplomacia shqiptare ka paguar për zhvillimin e dialogut politik 6.5 milionë lekë, për zbatimin e detyrimeve të MSA-së për çështjet e politikës së jashtme 3.5 milionë lekë. Vetëm për pjesëmarrjen aktive në NATO janë paguar 6.5 milionë lekë për 6- mujorin e parë, ndërsa lobime pranë strukturave komunitare dhe vendeve anëtare në total janë paguar 9.5 milionë lekë.
Në emërtimin Shqipëria dhe siguria ndërkombëtare, ku kanë qenë të planifikuara 9.962.000 lekë janë shpenzuar në këtë pjesë të vitit 2013 fiks 4.700.000 lekë. Ndërsa për mbrojtjen e interesave të vendit në frankofoni nga 11.085.000 lekë janë shpenzuar 5.000.000 lekë.
(BW)