Shqipëria në 2011 do të nis ofensivë kundër raportit të Marty
Tiranë, 26 dhjetor - Viti i ardhshëm për diplomacinë shqiptare është i mbushur plot me sfida të rëndësishme, por e para në axhendën kohore të saj është përballja në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës me projektrezolutën e këtij institucioni rreth raportit të Dick Marty-t për akuzën e trafikimit të organeve nga autoritetet kosovare edhe në territorin e Shqipërisë, gjatë luftës së Kosovës.
Për ministrin e jashtëm, Edmond Haxhinasto, Tirana zyrtare i ka të qarta veprimet e saj, fushatë sensibilizuese për të sqaruar se akuzat nuk janë të bazuara në fakte, por nga ana tjetër pranimin e çdo hetimi për të rrëzuar këto akuza.
Ne do të sqarojmë të gjithë partnerët tanë për gadishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar dhe që raporti i Marty të hetohet, u shpreh Haxhinasto.
Sfida tjetër e rëndësishme për Shqipërinë është përpjekja për të marrë vitin e ardhshëm statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pse jo edhe datën e nisjes së negociatave për anëtarësim.
Por, sipas ministrit të jashtëm problemi kryesor që mban pezull integrimin është zgjidhja e ngërçit politik: Cështja që pengon dhënien e statusit dhe hapjen e negociatave është dialogu politik.
Ministri i jashtëm nuk ngurron të thotë se me qëndrimin e saj opozita e bllokoi procesin e integrimit, duke patur perceptimin e gabuar se marrja e statusit kandidat do të cilësohej një sukses për qeverinë, kur sipas tij ai është sukses për të gjithë shqiptarët.
Megjithëse në skenën politike shqiptare ka ende negociata për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve të kaluara, ministri i jashtëm, tregohet i rezervuar për të qenë entuziast, edhe pse siç thotë, pritet ti besojë skenarit më të mirë.
Shqipëria do të ketë një skenar pozitiv nëse të gjitha forcat politike ushtrojnë përgjegjësitë e tyre para qytetarëve shqiptarë. Nëse ngërçi politik zgjidhet duke respektuar ligjin atëherë Shqipëria do të tregojë se vepron si një vend europian dhe demokratik, përfundoi ministri i jashtëm i Shqipërisë.