Shqipëria e Kosova shënojn përparim të lehtë në avancimin e demokracisë
Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar në fushën e avancimit të demokracisë.
Kështu thuhet në raportin e publikuar vjetor të Organizatës amerikane Freedom Hause Vendet në Tranzicion, raport ky që mat proceset demokratike në 29 vendet në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë.
Kosova dhe Serbia, pas disa viteve retorikë të përshkallëzuar dhe negociata të dështuara, kanë shënuar përparim të madh në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, thuhet në raportin më të ri të organizatës Freedom House Vendet në tranzicion 2014.
Freedom House kujton se në shkurt të vitit 2013, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe homologu i saj serb, Tomisllav Nikolliq, janë takuar në Bruksel, duke shënuar takimin e parë midis kryetarëve të dy shteteve prejse Kosova ka shpallur pavarësinë.
Raporti përmend edhe marrëveshjen e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe zotimet e të dyja palëve për të mos penguar njëra-tjetrën në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në Kosovë ka pasur edhe përmirësime; një nga to është natyrisht marrëveshja historike midis Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, sidomos sa i përket trajtimit të situatës në veri. Në anën e Serbisë, ajo nuk ka shkaktuar vlerësime të njëjta, sepse vlerësimet e Serbisë kanë qenë shumë më të larta se të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Sylvana Habdank-Kolaczkowska, drejtore e projektit për vendet në tranzicion, pranë organizatës Freedom House.
Megjithatë, sa i përket demokracisë, Kosova, edhe sivjet, është përfshirë në grupin e vendeve me regjim gjysmë të konsoliduar autoritar. Në tabelën prej shtatë pikësh, ku njëshi përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik, ndërsa shtata më të ultin, Kosova ka 5.14 pikë. Shifra, prapëseprapë shënon një përparim të vogël nga një vit më herët, kur ka qenë 5.25. Në grupin e vendeve gjysmë-autoritare bëjnë pjesë edhe Armenia e Kirgizia.
Sa u përket mediave të pavarura, organizata Freedom House i jep Kosovës 5.75 pikë; në lidhje me qeverisjen kombëtare 5.50, ndërsa për qeverisjen lokale 4.75. Sa i përket korrupsionit, Kosova është vetëm një pikë larg vlerësimit më të keq në këtë kategori ajo ka 6 pikë. Për kushtet në të cilat funksionon shoqëria civile, Kosova ka 3.75 pikë, ndërsa për kornizën gjyqësore 5.50.
Raporti po ashtu thekson se Kosova, së bashku me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, kanë marrë vlerësime të mira për zgjedhjet dhe transferimet paqësore të pushtetit.
Për Shqipërinë, kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e Procesit elektoral dhe Qeverisjes demokratike në nivel qendror.
Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në këtë raport vjetor dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: Shoqëria civile, Media e pavarur, Qeverisja demokratike në nivel lokal, Pavarësia e gjyqësorit dhe Korrupsioni.
Sipas raportit, fushat që pasqyrojnë përmirësim në Kosovë, krahasuar me vitin e kaluar, janë Procesi elektoral, Shoqëria civile dhe Qeverisja demokratike në nivel qendror, të cilat janë përmirësuar me 0.25 pikë.
Në katër fushat e tjera, Media e pavarur, Qeverisja demokratike në nivel lokal, Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit dhe Korrupsioni, vlerësimi për Kosovën nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar.
Në raportin Vendet në tranzicion 2014 organizata Freedom House vlerëson dhe përparimet e arritura në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.