Shqipëria dhe Kosova nënshkruan protokollin e bashkëpunimit
Përmes një konference të përbashkët për shtyp, dy ministrat e jashtëm, të Shqipërisë dhe Kosovës e kanë vlerësuar këtë si një marrëveshje shumë të rëndësishme për të dyja vendet.
Ky Protokoll është dokumenti më i plotë e gjithëpërfshirës në marrëdhëniet dypalëshe, i cili konsiderohet plan zhvillimor për ti bërë më komplementare të gjithë sektorët e bashkëpunimit, me synim krijimin e një tregu më të gjerë në rajon.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti theksoi se Protokolli do të përshpejtojë nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët, në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, teknologjisë, industrisë minerare, pyjeve, ujërave, sigurimeve shoqërore, arsimit etj.
Njëkohësisht me mekanizmat e tij operatore do ti japë zgjidhje të shpejtë dhe efikase problemeve që lindin në marrëdhëniet mes dy vendeve, tha Panariti.
Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vlerësuar lart Protokollin e Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ky Protokoll është një dokument gjithëpërfshirës, i cili do ti hap udhë një partneriteti strategjik dhe do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shkencës, kulturës, e deri te bashkëpunimi në nivel lokal, ka thënë Hoxhaj.
Ai po ashtu ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë dhe se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat mund të konsiderohet si model për vendet e rajonit dhe të gjitha vendet që aspirojnë paqe, siguri dhe stabilitet.
Protokolli i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri është vazhdimësi e Memorandumit të qershorit të vitit 2008 midis kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Sali Berisha. Ky është një hap që përshpejton dhe orienton bashkëpunimin e mëtejmë Kosovë-Shqipëri, si dhe hap perspektiva edhe për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, tha Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar të gjithë drejtuesit e Republikës së Shqipërisë për lobimin për njohje dhe mbështetjen për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu ka theksuar rolin e fuqishëm të Shqipërisë lidhur me zhvillimet në Luginën e Preshevës.
Të dy ministrat shkëmbyen mendime edhe për gjetjen e rrugëve për ti dhënë një mbështetje më të gjerë rajonale projektit për gazsjellësin TAP, dhe mundësinë e përfshirjes së Kosovës në këtë projekt energjetik evropian.
Zhvillimet në rajon, bisedimet e nivelit të lartë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë zunë gjithashtu një vend të veçantë në takimin e dy ministrave.
Gjatë vizitës në Tiranë, ministri Hoxhaj do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.