Shqipëria dhe Kosova, në rrugë për BE
Tiranë, 28 maj - Kosova mund të përfitojë nga përvoja e rrugëtimit të Shqipërisë për tu afruar dhe integruar në Bashkimin Evropian në disa fusha, veçanërisht te shfrytëzimi i materialeve që janë në gjuhën shqipe. Por, Kosova nuk duhet ta imitojë Shqipërinë për ngërçin që ka bërë që ajo të ngecë në marrjen e statusit kandidat për shkak të problemeve politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kështu kanë vlerësuar profesorët dhe kandidatët për doktoraturë të Institutit të Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës në një sesion shkencor rreth sfidave të integrimit që është mbajtur në Tiranë.
Drejtoresha e Institutit të Studimeve Evropiane në Universitetin e Tiranës, Eva Tafili-Hyskaj, ka thënë se sesioni shkencor Sfidat e integrimit, rasti i Shqipërisë, që është organizuar nga Instituti i Studimeve Evropiane i Universitetit të Tiranës, ka qenë shumë i dobishëm. E vlerësoj të suksesshëm jo vetëm për faktin se referentët i kishin shtjelluar kumtesat e tyre rreth idesë qendrore që ngërthente tematika e sesionit, duke krijuar një larmi pikëpamjesh dhe idesh në këtë kuptim, por edhe për faktin tjetër se ky sesion sjell një risi në ambientin shkencor shqiptar, pasi këtë herë ishin studentët doktorantë që luanin si violinë e parë në këtë skenë dhe jo pedagogët e studiuesit tashmë të afirmuar, ka thënë ajo.
Drejtoresha Hyskaj është shprehur se synimi i saj dhe i këshillit të profesorëve të ISE është që tua japin mundësinë edhe studiuesve të rinj ti parashtrojnë këndvështrimet e tyre, duke ia shtuar ato morisë së studimeve, analizave, pikëpamjeve pro dhe kundër mekanizmave e modaliteteve që duhet të përdorim për tia mundësuar Shqipërisë së dashur të qenit në mesin e Evropës së përparuar, mendoj se u realizua. Në fund të fundit, krahas veprimtarisë së mirëfilltë shkencore, një nga synimet e ISE-së është edhe përgatitja e studiuesve, politologëve dhe analistëve të rinj, kontributi i të cilëve do ti vlejë jashtë mase kombit tonë në një të ardhme shumë të afërt, ka vlerësuar ajo.
Po ashtu, sipas saj, ky sesion vlerësohet i suksesshëm edhe nga kërshëria që ai ngjalli te pjesëmarrësit, si dhe nga dëshira e tyre për të marrë pjesë në të, çfarë tregon se tematika evropiane dhe, për më tepër, perspektiva evropiane e vendit tonë është tejet e ndjeshme në qarqet intelektuale shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Duke e përmbledhur idenë, do të thosha se personalisht jam e kënaqur me këtë sesion shkencor, jo për faktin se përfundoi me sukses një veprimtari në të cilën kisha përgjegjësinë kryesore për mbarëvajtjen e saj, por për larminë dhe cilësinë e diskutimeve, çfarë është një ogur i mirë për të ardhmen, njëkohësisht tregon se pranimet në programin e doktoratës së ISE-së janë të goditura, është shprehur ajo.
Rëndësinë e sesioneve në shkëmbimin e ideve dhe përvojave për Bashkimin Evropian, Hyskaj, e ka quajtur të dorës së parë. Në këtë sesion u vu re një veçori për sa u përket kumtesave, që lidhet me larminë e tematikave të trajtuara, çka nuk ishte e rastësishme, por është rrjedhojë e faktit se profesionet dhe sferat e veprimtarisë së përditshme intelektuale të pjesëmarrësve janë të ndryshme, duke mbuluar pothuaj të gjitha fushat të cilat lidhen drejtpërdrejt me çështjet që duhet të trajtojë një vend aspirant për integrimin në strukturat evropiane, ka deklaruar ajo.
Çdo studim ajo e ka cilësuar si komplementar me të tjerët, njëkohësisht edhe pjesë plotësuese të një puzzle-i të madh, duke na ndihmuar të gjithëve ti shtojmë njohuritë dhe ta përmirësojmë vlerësimin tonë, si për çështje të veçanta, ashtu edhe për çështjen par excellence që ka kapluar mendjet dhe dëshirat e shqiptarëve: integrimin në BE. Secili pjesëmarrës, në marrëdhënien ndërvepruese me kolegët dhe publikun, me idetë e veta sbëri tjetër veçse vendosi një gur më shumë në pirgun e dijeve dhe njohurive për këtë qëllim, ka thënë ajo.
Në sesion kishte tema që krahasonin politikën e integrimit Evropian të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Profesoresha Hyskaj është shprehur se nisur nga veçoritë dalluese të Shqipërisë dhe Kosovës, rrethanat kushtëzojnë që trajtimi i disa prej këtyre çështjeve nga qeveritë dhe shoqëritë përkatëse jo gjithmonë të jetë i njëjtë.
Për shkak të afateve kur kanë nisur proceset nga të dyja palët, ai në Shqipëri është më përpara dhe për rrjedhojë Shqipëria ka një përvojë më të madhe në këtë drejtim. Një përvojë me anët e veta pozitive dhe negative do ti shërbejnë Kosovës si udhërrëfyes, në mënyrë që, gjatë procesit të saj, kjo e fundit të mos shfaqë dukuritë negative që janë vërejtur në atë të Shqipërisë, duke e tejzgjatur përfundimin e tij. Për hir të së vërtetës, druaj se një gjë e tillë do të ndodhë realisht, nëse do tu referohesha njoftimeve të shtypit të Kosovës dhe të agjencive prestigjioze mbi korrupsionin galopant të zyrtarëve, si dhe problemet me pavarësinë e gjyqësorit, që do të duhej ta gjykonte e, sipas rastit, ta ndëshkonte këtë korrupsion etj, ka thënë ajo.
Duke u zhvendosur më tej në kohë, profesoresha Hyskaj është shprehur se shpreson të jetë në një të ardhme shumë të afërt, kur Shqipëria do ta ketë marrë statusin e kandidatit për të qenë anëtare e familjes evropiane. Në këtë rast Shqipëria nuk do të shërbejë vetëm si stafetëmbajtëse në rrugëtimin e faktorit shqiptar drejt familjes evropiane, por si një nënë e mirë. Ajo do të jetë edhe avokatja më e flaktë për përshpejtimin e procesit të Kosovës, duke bërë çështë e mundur, ashtu si në rastin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, çfarë e shoh me shumë vlera jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por për të gjithë faktorin shqiptar në shtetet e tjera ballkanike e më gjerë, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Mirela Bogdani, profesoreshë e Politikave Evropiane në Institutin e Studimeve Evropiane, ka vlerësuar se konferenca shkencore mbi sfidat e integrimit, ishte një aktivitet i veçantë, ku u trajtuan çështje e tema mbi integrimin evropian të Shqipërisë e Kosovës. Mendoj se aktivitetet shkencore të tilla, si konferenca, roundtables, leksione të hapura mbi këto çështje janë të rëndësishme pasi në to bëhet shkëmbimi i ideve, opinioneve, eksperiencave, arritjeve e problemeve, mbi njërën nga çështjet më të rëndësishme e bashkëkohore për të dy vendet, siç është ajo e proceseve të integrimit dhe demokratizimit, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Kosova është mirë të mos marrë shumë shembuj nga Shqipëria në lidhje me proceset demokratizuese dhe integruese, pasi Shqipëria ka pasur një progres mjaft të ngadalshëm dhe ecuri problematike.
Mjafton të kujtojmë se në fillim vitet 2000, kur filloi SAP për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ishte e treta në progres, pas Kroacisë dhe Maqedonisë, kurse sot, 10 vjet më vonë, është e parafundit dhe i është refuzuar statusi i kandidatit dy herë, ka theksuar ajo, duke sugjeruar se Kosova duhet ta shikojë shembullin e vendeve progresive në rajon si Kroacia dhe të ndjekë e zbatojë orientimet e kushtet e BE-së dhe të zhvillojë një shtet ligjor.
Kurse studiuesja Floreta Kertusha nga Shqipëria, e cila në punimin e saj ka prezantuar efektivitetin e kushtëzimit të Bashkimit Evropian, ka vlerësuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) drejt ish-vendeve komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), në saj të potencialit për një integrim të mëtejshëm politik dhe ekonomik, solli si pasojë jo vetëm sanksionimin e lirive të reja të qytetarëve për të lëvizur dhe punuar, por edhe shumë përfitime të tjera publike ndaj shtetasve të këtyre vendeve. Një ndër arsyet kryesore të përfshirjes së faktorit ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe BE-së, në Ballkanin Perëndimor, është interesi për një siguri apo stabilitet më të qëndrueshëm rajonal, ka vlerësuar ajo.
Edhe kandidati Isak Sherifi nga Tetova, i cili ka prezantuar punimin për përfundimin e luftës në Kosovë dhe rolin e Bashkimit Evropian, ka vlerësuar se një ndër çështjet që ishin të domosdoshme për tu rigjeneruar dhe kthyer një realiteti të ri e të domosdoshëm dhe të qëndrueshëm në Kosovë ishte ndërtimi i shumë institucioneve që kërkojnë zgjidhjen e shumë problematikave që solli lufta në Kosovë. Komuniteti evropian mbas luftës në Kosovë kishte angazhime të vazhdueshme dhe përplot sfida për ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse dhe zhvillimin e demokracisë së pushtetit vendor në Kosovë, është shprehur ai. Sipas tij, efektshmëria e institucioneve vendore, qeverisja vendore demokratike mund të bëhet e qëndrueshme dhe vetëqeverisëse vetëm atëherë kur institucionet vendore të funksionojnë me efektshmëri dhe autoritet, të vlerësohen nga qytetarët e Kosovës dhe mund të përshtaten me nevojat në ndryshim.
Kurse Mark Ndreca, në punimin për strukturën bazale të krizës në Jugosllavinë e dytë dhe dilemat e para ndërkombëtare, ka vlerësuar se kriza e thellë ekonomike dhe nacionalizmi doktrinar të shprehur në platformën e Millosheviqit për një Serbi të Madhe janë bazat e shpërbërjes konfliktuale të Jugosllavisë së Dytë.
Faktorët e brendshëm ishin përcaktues. Të tillë rendisim: prezencën e antagonizmave ndëretnikë konfliktualë të së shkuarës dhe riaktivizimin e tyre në rrethana të reja; orientimi shtetëror nëpërmjet nacionalizmit agresiv doktrinar të kodifikuar; faktorët ekonomiko-financiarë të përkeqësuar; diversitetet etno-kulturore të shprehura periodikisht përmes ndjenjave kontroverse të nacionaliteteve, sidomos në shtetet përbërëse të ish-Jugosllavisë me hartë multietnike të spikatur; prezenca dhe roli vendimtar i individit Millosheviq, është shprehur ai. Edhe Lorenc Xhaferraj ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës dhe i Shqipërisë në bashkimin Evropian është shpresë për të ardhmen.
Ndërkaq, kandidati për doktoraturë nga Kosova, Veton Zejnullahu, ka folur për konfliktet dhe zgjidhjen e tyre. Sipas tij, origjina e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në mes të individëve dhe shoqërive është e vjetër po aq sa edhe vetë njerëzimi dhe ekzistimi i komunikimit mes tyre. Historikisht ndër shkaqet kryesore të lindjes së konflikteve në botë janë: ekonomike, territoriale, etnike, fetare, ideologjike, shkelja e të drejtave të njeriut etj. Shumica nga këto shkaqe në një fazë të zhvillimit të shoqërive kanë qenë burim krizash, qoftë si të vetme, qoftë më shumë se një, duke përcaktuar kështu kuantitetin dhe kualitetin si të nivelit të konfliktit, ashtu edhe të mundësive për zgjidhjen e konflikteve, ka potencuar ai.
Ndër metodat më kryesore të dëshmuara si më efikase për zgjidhjen e konflikteve janë: ndërhyrja e një pale të tretë, grupet e synuara, negociatat, arbitrazhi, ndërmjetësimi, metoda këto të cilat janë treguar funksionale në vartësi të qasjes së palëve të përfshira në konflikt, ashtu edhe të atyre të përfshira në zgjidhjen e konflikteve. Në rast të kundërt, konfliktet mund të jenë të përhershme, kohëzgjatja e tyre mund të përbëjë mundësi tё gjenerimit të konflikteve të reja, të cilat mund të dërgojnë në përshkallëzimin e tyre deri nё luftёra rajonale, ka theksuar ai.(Gazeta Epoka e RE)