Shqipëri, nisin votimet për zgjedhjet
Tiranë, 23 qershor - Shqipëria nisi sot votimin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare pas një fushate entuziaste të dy koalicioneve më të mëdha, për të cilat parashikohen rezultate të ngushta.
Procesi i votimit është hapur normalisht në pjesën më të madhe të vendit me shqyrtimin e materialeve zgjedhore nga komisionerët dhe pas kësaj rutine nis votimi i qytetarëve.
Sipas të dhënave zyrtare numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 3,3 milionë shqiptarë me të drejtë vote, megjithatë një numër i konsiderueshëm i tyre nuk jetojnë në Shqipëri për shkak të emigrimit masiv.
Njoftimet e para tregojnë se materialet zgjedhore janë shpërndarë normalisht në të gjithë vendin dhe komisionet janë të gatshme për të regjistruar garën, e cila ka filluar të paktën 6 muaj më parë.
Edhe pse me 3 karrige bosh, KQZ-ja me 4 anëtarë bëri të mundur pajisjen e komisioneve në 12 qarqe me materiale të zakonshme të votimit, ndërsa nuk u realizuan dot 2 eksperimentet për numërim elektronik të votave në Fier dhe për verifikimin e kartave të identitetit në kryeqytet.
Veprimtaria e KQZ pritet të vështirësohet me kalimin e kohës, kur duhet të mbyllet procesi i votimit dhe kur duhet të administrohen rezultatet me 5 vota komisionerësh.
Në komisionet e qendrave të votimit anëtarët janë ndarë midis forcave kryesore, ndërkohë që janë angazhuar një numër i madh vëzhguesish partiakë dhe të pavarur, vendas dhe ndërkombëtarë.
Ata kanë koordinuar veprimtaritë për të mbuluar 12 qarqet dhe për të vërejtur nëse do të ketë parregullsi të mëdha apo manipulime të qëllimshme.
Qeveria ka deklaruar angazhimin e saj të plotë për zgjedhje të lira dhe të rregullta, megjithatë këto deklarata nuk i kanë qetësuar dyshimet e opozitës për manipulimet me listat dhe kartat e identitetit.
Militantë të të dyja koalicioneve janë përfshirë në mbikëqyrjen e kujdesshme të procesit zgjedhor ku ekziston një mosbesim i gjerë për veprimet e kundërshtarëve. Raporti i parë i vëzhguesve ndërkombëtarë do të jetë të hënën mbasdite dhe raporte më të detajuara priten gjatë ditëve në vazhdim.
Një tjetër dilemë e procesit është nëse humbësi do të njohë rezultatin duke fashitur dyshimet mbi procedurat.
Në proceset zgjedhore të Shqipërisë, është bërë tashmë e zakonshme që njerëzit votojnë të qetë gjatë gjithë ditës por tensionet dhe mosbesimet kthehen në mbrëmje gjatë numërimit të votave.
BE ka deklaruar se këto zgjedhje janë një provë e rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe gadishmërinë e Shqipërisë për t\'u integruar në institucionet europiane.(voa)