Shoqata Vatra do të shëndërrohet në parti politike
Preshevë, 22 korrik - Shoqata Vatra që tubon në Kosovë kryesisht shqiptarët e shpërngulur nga Lugina e Preshevës do të shëndërrohet në parti politike.
Duke i parë zhvillimet politike, sociale, ekonomike demokratike në Kosovë, Kosovë Lindore e më gjerë, dhe kërkesat për mundësinë e ndryshimeve e zhvillimeve të ngjarjeve edhe brenda Vatrës, por edhe nga anëtarësia e nga qytetarët e shumtë, është bërë i domosdoshëm ndryshimi në veprimet e mëtutjeshme të Shoqatës, duke u formuar si parti politike, thekson kjo shoqatë, e formuar në vitin 2005. Përfaqësuesit e saj kanë theksuar se Vatra do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Sipas tyre, ky vendim vjen edhe nga fakti se, duke garuar në këto zgjedhje do të bëhet e mundshme që në Kuvendin Komunal në Gjilan, qytetarët e ndjekur nga Kosova Lindore dhe të gjithë qytetarët tjerë të cilët do ta përkrahin këtë lëvizje, do të kenë përfaqësuesit e vet, nëpërmes të cilëve do të dëgjohet zëri i tyre më shumë, duke u krijuar kështu, mundësitë për zgjidhjen e ndonjë nga problemet e shumta të tyre të pazgjidhura.
Po ashtu, do të krijohen mundësitë për të sensibilizuar më shumë çështjen e pazgjidhur të Kosovës Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc), thekson Vatra.