23 Dhjetor 2024

Shënohet Dita Evropiane e Trashëgimisë

Prishtinë, 14 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së manifestimit “Ditët e Trashëgimisë Evropiane” , organizuar në Kalanë e Harilaqit, në komunën e Fushë-Kosovës.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu tha se kjo është një mundësi e mirë për të promovuar vlerat kulturore dhe një moment i volitshëm për të shpalosur trashëgiminë tonë kombëtare.

“Sot në kështjellën e Harilaqit po e shënojmë Ditën Evropiane të Trashëgimisë. Po promovojmë vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. Kjo ditë ka një synim themelor që shpalos trashëgiminë dhe të rritë ndërgjegjësimin e të gjithë njerëzve në mënyrë që monumentet e kulturës të jenë të mbrojtura, bukuria dhe funksioni i tyre të bartet edhe tek brezi i ardhshëm”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke folur më tej rreth rëndësisë së kësaj dite, Presidenti Sejdiu tha se është një mundësi e mirë për shpalosjen e asaj që kemi trashëguar nga paraardhësit tanë, por, po ashtu edhe një mundësi e mirë për t’u treguar dhe për t’i njohur me kulturën tonë pasardhësit tanë.

“Dita Evropiane e Trashëgimisë po shënohet në shtetin tonë, duke u bërë kështu vlerë motivuese për të punuar më shumë, për të qitë në dritë gjithë këtë begati kulturore që na e kanë lënë breza të tërë. Është e veçantë se kjo kështjellë antike, në të cilën ka vite që po bëhen hulumtime nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të financuar nga Komuna e Fushë Kosovës dhe Ministria e Kulturës, shpalos gjithë imagjinatën, kreativitetin dhe kulturën urbane arkitektonike të paraardhësve tanë, andaj edhe pa hezitim e kam marrë nën patronat edhe manifestimin, por, natyrisht edhe gjithë veprimet e tjera që do të bëhen bashkë me institucionet e tjera të Kosovës”, vijoi Sejdiu.

Ai tha më tej se Republika e Kosovës ka një trashëgimi të madhe materiale dhe shpirtërore dhe ajo duhet të hulumtohet, restaurohet, sistemohet dhe valorizohet dhe kështu të bëhet një vlerë publike e mundshme për t’u shijuar nga të gjithë.

“Është koha të përqendrohemi më shumë në fushën e arkeologjisë, meqenëse Kosova ka shumë vlera lokalitetesh antike që nga Iliria, të cilat ende nuk janë hulumtuar dhe valorizuar as për së afërmi. Të fillojmë edhe në Kosovë me krijimin e parqeve arkeologjike dhe tashmë ekzistojnë kushte të mira për këtë. Këto qendra të mëdha kulturore, por edhe turistike. Në Kosovë duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar turizmin kulturor dhe këto bukuri dhe të tjera të bëhen thesar i madh i kulturës botërore. Në këtë ditë propozoj që të ardhmen të hapen falas të gjithë muzetë dhe objektet kulturore në të cilat do të mund të vijnë të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e tjerë për të parë atë që na e lanë brezat e kaluar”, shtoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu më tej tha se Kosova me pasuritë dhe bukuritë që ka mund të bëjë garën e gjithmonshme të kualitetit me civilizimet e lashta.

“Kosova dhe Dardania Antike është truall i civilizimit të hershëm, ndaj them se gjithë këto vlera që janë në Kosovë si trashëgimi, janë vlera të të gjithë qytetarëve, janë vlera të të gjitha etnive dhe investimi në to është vetëm një shpalosje e vazhdueshme dhe e thellë e identitetit tonë. Prandaj, uroj që punimet që shkojnë mirë që gjithë kjo pjesë e projektit që është nëse e marrim edhe në hapësirën e kësaj komune por edhe në gjithë komunat e tjera të Kosovës, pra, në tërë Kosovën të shkojë së mbari për të lëvizur thjeshtë në mënyrën më të suksesshme dhe për të plotësuar me pasqyrim real identitetin e plotë të Kosovës, jo vetëm me atë të koloritit të saj me etnitë që ka, por, edhe të gjithë vlerave arkitektonike dhe kulturore që realisht janë edhe në kombinim të mirë të vlerave shpirtërore që ka populli ynë”, tha Sejdiu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)