Shefi i EULEX-it për vizitë në Beograd
Beograd, 26 mars - Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, e përfundoi udhëtimin e tij të parë zyrtar në Beograd me takimin me Kryetarin e Serbisë, Tomislav Nikolić.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite të tij, ai u takua edhe me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dačić, si dhe Zëvendës-Kryeministrin e Parë, Aleksandar Vučić.
Bashkëpunimi në fushën e sundimit të ligjit është shumë i rëndësishëm për luftimin e krimit. Ashtu siç krimi mund të ketë dimension rajonal, edhe lufta kundër tij duhet të ketë dimension rajonal. Në këtë drejtim bisedimet ishin të dobishme, tha Borchardt.
Në mesin e çështjeve të diskutuara ishin rritja e bashkëpunimit, gjendja në pjesën veriore të Kosovës dhe përkrahja e EULEX-it në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu, Borchardt u takua edhe me Drejtorin e Zyrës së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin, me ambasadorët e BE-së, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe me mediat.