SHBA voton sot projekligjin për të mos ndarë familjet e imigrantëve
Washington 21 qershor - Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan njoftoi se sot do të votohet për një projekligj mbi emigracionin që parashikon zgjidhje për të mos ndarë familjet e imigrantëve të paligjshëm.
Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump iu rikthye të mërkurën sulmeve të tij ndaj medias dhe opozitën demokrate për mënyrën se si ata po e përshkruajnë politikën e administratës së tij për të ndarë familjet e imigrantëve kur ata kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jugor amerikan.
Zoti Trump thotë se mediat kryesore amerikane "nuk po përmendin sigurinë e vendit kur flasin për imigracionin e paligjshëm". Sipas tij “ligjet amerikane të imigracionit janë më të dobtat dhe më të këqijat se kudo në botë" dhe se demokratët "nuk do të bënin asgjë për t’i ndryshuar".
“Është faji i demokratëve, ata nuk po na japin votat e nevojshme për të miratuar legjislacionin e duhur për emigracionin", shkruante zoti Trump duke injoruar faktin që republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. "Ata duan kufij të hapur, që ushqejnë krime të tmerrshme, republikanët duan sigurinë. Por unë po përpiqem të bëj diçka” ”, shkruante zoti Trump.