SHBA: Vetëdijesim i Beogradit rreth pavarësisë së Kosovës

New York, 2 prill - Mediat amerikane, ato të shtypit dhe elektronike, në faqet dhe tablot e lajmeve ndërkombëtare i kanë kushtuar hapësirë bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë ku në Bruksel sot po zhvillohet një nga takimet më të rëndësishme të dialogut të deritashëm.
Kundërthëniet rreth veriut të Kosovës të kontrolluar nga serbët thuhet se kanë qenë burim i vazhdueshëm i tensioneve dhe dhunës gjatë viteve.
Washington Post thekson se serbët e Kosovës druajnë se qeveria e Serbisë do ti braktisë për hir të një marrëveshje me BE-në.
Ata tërheqin vërejtjen se ribashkimi i qytetit të ndarë do të çojë në shpërngulje dhe protesta masive.
Ata thonë se nuk do të pranojnë asnjë integrim brenda Kosovës dhe se nëse Serbia vendosë të çojë dorë nga veriu, atëherë katër komunat, përfshi Mitrovicën, do të krijojnë një asociacion dhe ta shpallin atë si pjesë të Serbisë.
Gazeta amerikane shënon edhe shkuarjen e kryeministrit Hashim Thaçi në Mitrovicë dhe vizitën në shtëpinë e një shqiptari që kishte rindërtuar atë. Thaçi, thekson gazeta, u kishte bërë thirrje serbëve që të pranojnë marrëveshjen që u jepë më shumë të drejta, por jo edhe autonomi.
Agjencia Reuter në anën tjetër vëren se bisedimet janë në rrugë të mirë të çojnë në fundin e ndarjes etnike, të paktën në letër. Shefja e politikës së Jashtme e BE-së Catherine Ashton do që marrëveshja të arrihet sot, në mënyrë që ti hapet dera Serbisë drejt BE-së.
Njëkohësisht, marrëveshja do të mund të njihte pushtetin e Kosovës për veriun në këmbim të një lloj vetëqeverisje të serbëve atje.
Agjencia Reuter në këtë raportim thekson një vetëdijesim më të madh të politikës së Beogradit rreth pavarësisë së Kosovës, por edhe të qytetarëve të Serbisë të cilët sot 63 për qind e pranojnë se Kosova është de facto e pavarur.