SHBA vendos sanksione ndaj Rusisë për helmimin e Navalnit
Washington, 3 mars - Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të martën ndaj individëve e subjekteve nga Rusia pas daljes në përfundimin se Moska u përpoq të vriste figurën opozitare Aleksei Navalni me një agjent nervor. Lajmi u njoftua nga zyrtarë të lartë të administratës Biden.
Duke folur para gazetarëve gjatë një konference virtuale zyrtarët, thanë se lëvizjet po ndërmerreshin në koordinim me Bashkimin Evropian. Ata përsëritën thirrjen e Presidentit Joe Biden që Rusia të lirojë zotin Navalni nga burgu.
"Ne po i dërgojmë një sinjal të qartë Rusisë se ka pasoja nëse përdor armët kimike", tha një zyrtar i lartë i administratës.
Vendimi i Presidentit Joe Biden për të vendosur sanksione në përgjigje të helmimit të zotit Navalni pasqyron një qëndrim më të ashpër sesa ai i paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e la incidentin që ndodhi gushtin e kaluar të kalonte pa veprime ndëshkuese nga ana e SHBA-së.
Më herët Kremlini tha se çdo sanksion i ri amerikan mbi trajtimin e zotit Navalni nuk do ta arrinte qëllimin dhe se thjesht do të përkeqësonte marrëdhëniet e tensionuara tashmë mes dy vende. Zoti Navalni u sëmur ndërsa po udhëtonte me avion në Siberi në muajin gusht.
Ai u dërgua në Gjermani, ku mjekët arritën në përfundimin se ishte helmuar me një agjent nervor. Kremlini ka mohuar të ketë patur lidhje me incidentin dhe ka thënë se nuk ekziston asnjë provë se ai ishte helmuar.