SHBA vendos sanksione kundër Agjencisë iraniane të Hapësirës
Washington, 5 shtator - Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër agjencisë iraniane të hapësirës, të cilën e akuzon se shërben për të mbuluar një program raketash. Këto janë sanksionet e para të këtij lloji të vendosura ndonjëherë nga SHBA.
Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha se "Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të përdorë agjencinë e hapësirës si mbulesë për të zhvilluar programin e tij të raketave balistike”.
Sanksionet e reja prekin Agjencinë iraniane të Hapësirës, Qendrën e Kërkimit Hapësinor dhe Institutin e Kërkimeve Aeronautike të Iranit.
Çdo aset që këto ente kanë në Shtetet e Bashkuara bllokohen, dhe shtetasve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes me to.
SHBA thonë se teknologjia iraniane për lëshimin e mjeteve në hapësirë është "praktikisht identike me atë që përdoret për raketat balistike", duke përfshirë mënyrat e kontrollit të një rakete gjatë fluturimit.
SHBA paralajmëruan gjithashtu "bashkësinë shkencore ndërkombëtare se bashkëpunimi me Iranin për lëshimet në hapësirë mund të kontribuojë në programin e tij të raketave balistike."
Irani thotë se programi i tij i hapësirës ka për qëllim ndërtimin e raketave për të hedhur në orbitë satelitë të telekomunikacionit. Që nga viti 2013, Irani ka hedhur dy satelitë të tillë. Por tre përpjekje të tjera këtë vit kanë dështuar.